Vrau bashkëfshatarin për një plep, 35 vite burg për autorin

 

Gjykata e Kavajës ka dënuar sot me burgim të përjetshëm 55-vjeçarin Xhavit Saraçi (foto), i cili vrau me armë zjarri Ismet Xhanin, 28 vjeç, vitin e shkuar. Por, në sajë të gjykimit të shkurtuar, Saraçi është dënuar me 35 vite burg. Ngjarja Në datën 4 janar 2016, sipas prokurorisë, viktima dhe një kushëriri i tij po prisnin një plep në fshatin Luz i madh në Kavajë ku edhe banonin. Në atë moment, pranë tyre është afruar autori Xhavit Saraçi, i cili fillimisht u ka kërkuar mos ta prisnin pemën dhe më pas ka shtuar që dy bashkëfshatarët e tij mos t’i hidhnin degët në tokën e tij. Ndërsa, i afërmi i viktimës, Mario Xhani këmbënguli se plepi ka qenë molla e sherrit, vrasësi i cili është shfaqur i penduar ka rrëfyer në Gjykatë se ka humbur qetësinë pasi dy bashkëfshatarët e tij e kishin ofenduar. Prokuroria shpjegon në pretencë se gjatë kohës që viktima dhe Mario Xhani po kalonin me karrocën e ngarkuar me dru në rrugën kryesore të lagjes, autori ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre.

Artikulli paraprakBLEU NJË APARTAMENT ME PARATË E TAKSAPAGUESVE,JEP DORËHEQJEN MINISTRJA
Artikulli tjetërLEZHË, KALDAJAT NË SPITAL NDIZEN ME ORAR