Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër dënoi sot me burgim të përjetshëm Apostol Kostën, 76 vjeçarin nga Gjirokastra i cili në tetor të 2017 ekzekutoi me automatik Aleko dhe Aferdita Kostën në banesën e këtyre të fundit.
Trupi gjykues i përbërë nga Mirela Iliopulli, Enkelejda Doda dhe me kryesues Arben Dostin, pasi ka dëgjuar pretencën e dhënë nga ana e prokurorit Emror Kasaj, i cili kërkonte burgim të përjetshëm për Kostën, ka mbështetur terësisht të gjitha aktet e vëna në dispozicion të gjykatës dhe përfundimisht e ka dënuar me burgim të përjetshëm Apostol Kostën.
Procesin gjyqësor fillimisht e morën për shqyrtim Krimet e Rënda në kryeqytet dhe më pas ja përcolli për gjykim Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër.
Si ndodhi ngjarja
Ngjarja ndodhi 25 tetor 2017 në lagjen “Palorto” të qytetit për konflikte pronësie me kushëririn e tyre. Apostol Kosta 70 vjeç, pasi beri krimin qëlloi edhe veten, duke u plagosur. Një palë shkallë të ndërtuara nga Apostol Kosta që dilnin 4 metra në oborrin e kushërit të parë janë shkaku i ngjarjes.
Konflikti i hershëm për një palë shkallë-Çështja kishte marrë zgjidhje ligjorë në gjykatë vetëm pak ditë më parë, ku ishte vendosur që 70 vjeçari të prishte shkallën që nisnin nga brenda oborrit të tij po dilnin në atë të fqinjit kushëri. Debati ka qenë i hershëm, por mbrëmjen e së martës ka përshkallëzuar ndjeshëm, derisa Apostol Kosta në orët e para të mëngjesit shkrepi breshëri kallashnikovi ndaj çiftit të bashkëshortëve në oborrin e banesës.
Autori kishte hedhur edhe një granatë-I moshuari ka hedhur drejt banesës së kushëririt edhe një granatë e cila fatmirësisht nuk ka plagosur. E gjitha ka ndodhur në pak minuta, ndërsa në banesë ndodhej djali nga martesa e parë e Afërdita Kostës. Aleks dhe Afërdita Kosta, ishin një cift i njohur në qytetin e Gjirokastrës. Ai ishte një muzikant i njohur ndërsa ajo mësuese.