Është lënë në burg autori i vrasjes së efektivit të FNSH-së, David Qosja. 30-vjeçari ka dalë para togave të zeza dhe ka thënë se nuk ka qëlluar ai i pari mbi policinë “Një fqinj ka qëlluar në fillim ndaj meje.
Unë qëllova mbi policinë sepse nuk doja që të hynte në shtëpinë time”, ka thënë Qosja. Efektivi i FNSH-së, Ardian Kodra, humbi jetën në Torovicë të Lezhës gjatë një operacioni për neutralizimin e Qoses, që dyshohet se është me probleme mendore.
Rreth orës 11:50 minuta të datës 2 gusht, Policia e Lezhës u njoftua se i riu kishte dalë nga banesa duke qëlluar me automatik dhe se situata ishte serioze. Për këtë shkak janë nisur drejt vendit të ngjarjes shërbimet e policisë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës, me dy makina të blinduara. Në njërën prej tyre ndodheshin Zv/Komandanti i FNSH-së, viktima Ardian Kodra dhe 2 efektivë të tjerë. Pasi janë pozicionuar përballë banesës së autorit kanë dalë nga blindi fillimisht dy efektivët e FNSH-së, të cilët kanë qëndruar pas tij. Pas pak sekondash ka dalë nga makina edhe Ardian Kodra, duke u pozicionuar pas një peme, ndërsa u ka thënë kolegëve se makina është qëlluar. Në këto momente është dëgjuar një breshëri armësh, ndërsa punonjësi i policisë ka thirrur autorin në emër. Pas pak çastesh është mësuar se Ardian Kodra ka mbetur i vrarë. Ai është marrë me mjet të blinduar dhe është dërguar në spital, por me gjithë ndihmën e dhënë ka ndërruar jetë.