Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka pranuar gjykim të shkurtuar për shtetasin Martin Zefi, 54 vjeçari i cili me 11 gusht të vitit të kaluar vrau me armën e ftohtë thikë bajonetë elektriçistin e OSHEE-së Zamir Velaj.

Ngjarja ndodhi në fshatin Oblikë të njësisë Ana e Malit. Në seancën e parë gjyqësore të zhvilluar në ngarkim të Martin Zefit, ky i fundit jo vetëm ka rikonfirmuar autorsinë e vrasjes por ka deklaruar se “do të kisha dashur që të isha unë në vend të viktimës. Kemi qenë shokë, miq dhe kemi ndenjur bashkë shpesh herë. Atë ditë kam qenë i alkoolizuar dhe nuk e di çfarë kam bërë”-ka thënë 54 vjeçari përpara trupit gjykues. Tashmë gjykata pasi ka pranuar gjykimin e shkurtuar pritet për të parë se cili do të jetë dënimi që do të kërkojë prokuroria nga ana e saj për 54 vjeçarin që ka pranua autorsinë e krimit. Në 14 gusht të vitit të kaluar, shtetasi Martin Zefi teksa u njoh me masën e sigurisë “arrest me burg” kërkoi mëshirë nga gjykata duke thënë se: “Atë ditë unë sapo isha kthyer nga një dasëm që kisha. Kur erdha në shtëpi pashë punonjësit e OSHEE që kishin ardhur. Unë isha në gjendje të dehur sepse kisha pirë pak në dasëm. Pyeta gruan time nëse na e kishin lidhur energjinë elektrike. Gruaja më dha përgjigje negative. Në atë moment kam debatuar me punonjësin e OSHEE duke i kërkuar që ta lidhte energjinë. Më pas kam marrë thikën dhe nën depresion dhe në gjendje të dehur e kam goditur elektriçistin por kurrë nuk kam dashur që ta vras. Jam penduar për çfarë kam bërë dhe kërkoj mëshirë nga gjykata”- ka deklaruar 54-vjeçari Martin Zefi 3 ditë pas vrasjes së elektriçistit Zamir Velaj duke shfaqur pendesë ndërsa duke folur ka derdhur edhe lot. Shkak i kësaj ngjarje në 11 gusht të 2016-ës u bë shkëputja e energjisë elektrike në familje Zefi në të cilën në atë kohë prej rreth një jave ishin në errësirë. Autori që pranoi vrasjen i kërkoi elektriçistit që t’ia rilidhte por Velaj nuk pranoi sepse familja Zefi kishte një debi prej rreth 500 mijë lekësh ndaj OSHEE. Në gjendje të alkoolizuar, siç edhe ka dëshmuar Martin Zefi ka marrë thikën dhe ka goditur elektriçistin duke e lënë të vdekur 44 vjeçarin Zamir Velaj. Martin Zefi që është në pritje të dënimit akuzohet për veprat penale “vrasje me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje e mjeteve të ftohta”.

Artikulli paraprakFLECKENTSEIN I KËRKON PD: MOS BOJKOTONI, KTHEHUNI NË PUNË
Artikulli tjetërTERMINALI I AUTOBUSËVE, PRITET MIRATIMI I PLANIT VENDOR