“Arrest me burg” ka dhënë gjykata e Shkodrës për Luigj Bludaj, autorin e dyshuar të vrasjes së Gjokë Arrës në fshatin Gjuraj të Dukagjinit.
31 vjeçari Bludaj pasi u vetëdorëzua për policinë dy ditë më parë doli përpara gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Në seancën gjyqësore Bludaj tregoi se ka qenë në Itali më përpara dhe se tani ishte rikthyer në Shqipëri dhe se ishte i papunë. Nga sa mësohet në seancën gjyqësore Luigj Bludaj ka pranuar vrasjen por edhe ka treguar se ka qëlluar në drejtim të Gjokë Arrës në kushtet e mbrojtjes së nevojshme.
“E kam vrarë sepse Gjokë Arra tentoi të më qëllonte me kmesë për të më vrarë. Në këto kushte kam nxjerrë pistoletën dhe kam qëlluar ndaj tij”-deklaroi Bludaj. Më tej ka rrëfyer se arsyeja që ka çuar deri në konflikt ka qenë një debat për 50 rrënjë cannabis sattiva. Autori i vrasjes Luigj Bludaj ka pranuar se ka dëmtuar një parcelë me 50 rrënjë cannabis për të cilat sipas tij kujdesej Gjokë Arra. “Parcelën e kam dëmtuar nga frika se nëse mund të vinte policia mund të akuzohesha unë sepse ka qenë afër nesh. Më pas Gjoka më ka kërkuar që t’i paguaj dëmin për 50 rrënjët cannabis që i kam dëmtuar. Unë nuk kam pranuar të paguaj dëmin dhe kam kërkuar që të ndërmjetësojnë me anë të pleqve të zonës për ta zgjidhur por Gjokë Arra nuk pranoi. Jemi takuar ditën e ngjarjes dhe më kërkoi prap të paguaja dëmin ndërsa unë i thashë se nuk pranoj. Në këtë moment tentoi të më sulmojë me kmesë dhe në kushtet e vetëmbrojtjes e qëllova”. Po ashtu 31 vjeçari ka mohuar se vëllai i tij Çesk Bludaj është bashkëautor në këtë vrasje duke thënë se nuk ka qenë aty. Kështu bie poshtë pista e futjes së bagëtive në tokë siç dyshohej dhe autori ka pranuar se vrasja ka ardhur pas konfliktit për cannabis.
Megjithatë burime pranë policisë bëjnë me dije se vrasja e Gjokë Arrës ka ndodhur 50 metra larg një parcele me cannabis sattiva në të cilën ndodheshin mijëra rrënjë ndërsa policia nuk ka sjellë asnjë informacion se çfarë është bërë me atë parcelë, nëse janë asgjesuar rrënjët apo jo. Luigj Bludaj ka deklaruar se nuk ka dijeni për parcelën që ndodhej afër vendit të vrasjes. Po ashtu sipas burimeve dyshimet për vrasjen e Gjokë Arrës nga Luigj Bludaj kanë të bëjnë me padi të ndërsjellta në polici mes palëve për parcelat me cannabis që kanë çuar në një dëm me një investim prej afro 80 mijë eurosh në një vlerë në treg prej afro 1 milion e gjysëm euro.