Vrau gruan me sëpatë në plazh, dënohet me 35 vite burg

Veli Dervishi është shpallur fajtor për vrasjen e gruas së tij Shazivare me sëpatë në kokë dhe është dënuar me 35 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, në Tiranë. Krimi ndoshi në banesën e çiftit në zonën e plazhit në Golem, Bashkia Kavajë, në gusht të vitit 2016. Dervishi, 73-vjeç, ka qenë duke debatuar për motive të dobëta me Shazivare Merja (Dervishi), nga e cila edhe pse ishte divorcuar, bashkëjetonte. Dy të moshuarit po debatonin në aneksin e jashtëm të shtëpisë dhe në këtë kohë aty nuk kishte njerëz të tjerë. Gjatë debatit, Veli Dervishi ka goditur bashkëjetuesen e tij tre herë me një sëpatë nga pas kokës duke i shkaktuar asaj vdekjen e menjëhershme. Më pas autori ka lënë sëpatën me të cilën kishte kryer krimin tek një kovë uji nga pas shtëpisë dhe ka dalë tek veranda e shtëpisë se tij. Në këtë kohë njeri nga komshinjtë, ka dëgjuar zhurmat dhe ka lajmëruar në Stacionin e Policisë Golem. Patrulla e policisë ka ardhur tek banesa e Veli Dervishit dhe ka marrë kontakt me këtë shtetas të cilin e ka pyetur nëse në këtë zonë ka pasur ndonjë konflikt. Veli Dervishi ka komunikuar në telefon me djalin e tij, Arturin dhe i ka thënë që të shkonte urgjent në Golem. Arturi i cili në atë kohë ka qenë duke konsumuar një kafe me shokët e tij është nisur menjëherë në drejtim të Golemit. Sapo ka ardhur, Veliu (Dervishi) i ka treguar djalit të tij për çfarë kishte bërë dhe i kishte kërkuar që ta çonte tek Stacioni i Policisë që të dorëzohej. Arturi nuk ka hyrë fare tek aneksi ku ndodhej viktima, por menjëherë ka çuar babanë e tij në Stacionin e Policisë në Golem.

Artikulli paraprakMINISTRJA E ARSIMIT PEZULLON DREJTORESHËN E MAS
Artikulli tjetërEURO BIE SËRISH, PO I AFROHET 133 LEKËVE, RËNIE PËSON EDHE DOLLARI