Vritet shqiptari në Romë, u ekzekutua me 3 plumba

Shqiptari i cili mbeti i plagosur në Zagarolo të Romës mbrëmjen e 8 dhjetorit, nga një atentat, ka humbur jetën. Lajmin e bëjnë të ditur sot mediat lokale që raportojnë se shqiptari 33-vjeçar ka ndërruar jetë 4 ditë pas ngjarjes. Ngjarja Skena dukej si një aksident rrugor, por kur shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur nga mediat lokale, u transportua më urgjencë në spital, u zbulua se ai kishte marrë tre plumba, një në zemër, një në gojë dhe një në kokë. Policia ka ndërhyrë në vendngjarje rreth orës 20:30 në zonën Valle Martella, pas një aksidenti rrugor ku u përfshinë dy makina, një “Yaris Toyota” dhe një “Fiat Panda”. Tre persona, shqiptari dhe dy italianë, 41 dhe 52-vjeç, janë transportuar në spitalin e Tor Vergata. Viktima u gjet i vetëm në sedijen e pasme të makinës tip “Toyota Yaris”, me të cilën udhëtonte. Mjekët në urgjencë konstatuan se shqiptari nuk kishte plagë të shkaktuara nga aksidenti, por nga disa goditje me pistoletë që e kanë prekur në pjesë të ndryshme të trupit. Mediat raportojnë se 33-vjeçari është ekzekutuar me armë zjarri nga afër. Kush është shqiptari i ekzekutuar? Identiteti i tij ende nuk bëhet i ditur, por mediat lokale raportojnë se ai është i gjatë 1 m e 95, mbante mustaqe dhe ishte me precedentë të mëparshëm për vepra penale kundër pronës. Ai jetonte prej rreth 10 vitesh në Itali. Policia po heton për të zbuluar nëse dikush tjetër ishte në makinë me shqiptarin në momentin e incidentit, apo nëse italianët që ndodheshin në makinën tjetër tip “Yaris”, ishin apo jo atentatorët e shqiptarit.

Artikulli paraprakVDES TRAGJIKISHT 55-VJEÇARJA
Artikulli tjetërEKZEKUTOHET NJË SHQIPTAR NË PERIFERI TË ATHINËS