Kryeministri serb Aleksandar Vučić braktisi ceremoninë e Brukselit për hapjen e kapitujve të rinj të negociatave për antarësimin në Bashkimin Europian.
Shkak është bërë bllokimi që i ka bërë Kroacia hapjes së kapitullit të 26 të negociatave, që ka të bëjë me arsimin dhe kulturën. Kroacia e bllokon këtë kapitull pasi sipas autoriteteve të Zagrebit, Serbia nuk ka bërë asnjë përpjekje për të përmirësuar kushtet e minoritetit kroat në vend. Agjencitë ndërkombëtare bëjnë të ditur se Vučić vendosi të largohej në shenjë proteste për bllokimin e qëllimshëm sipas tij, që Kroacia po i bën antarësimit të Serbisë. Të hënën, Vučić u takua me shefen e diplomacisë europiane Federika Mogerini në Bruksel. Paraditen e së martë ai u kthye Beograd, ku rreth orës 18:00 mbajti një konferencë për shtyp për këtë çështje. Gjatë fjalës së tij, Vučić theksoi se Zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden ka folur me zyrtarët Kroatë në telefon duke i kërkuar të kenë një qëndrim pro hapjes së kapitullit 26. Kryeministri serb nënvizoi se nuk ka pasur asnjë shpjegim për këtë vendim të Kroacisë. “Mua nuk më është dhënë asnjë arsye si dhe nuk më është thënë se nuk kemi bërë ndodnjë gjë. Nuk ka patur asnjë përgjigje, kishte vetëm heshtje”, u shpreh Vuçiç. Aktualisht Serbia ka hapur 3 nga 35 kapitujt e negociatave të antarësimit. Të martën në Bruksel ishte parashikuar hapja e tre të tjerave, përfshirë edhe kapitullin 26. Por me kundërshtimin e Kroacisë për të, hapja e këtij kapitulli do të shtyhet. Në fakt mosmarrëveshjet Serbo-Kroate datojnë që nga vitet ’90 pas shpërbërjes së Jugosllavisë, kur ushtria e Millosheviçit bëri masakra me pretendimin për të mbrojtur minoritetin serb nga represioni kroat. Edhe në Serbi jetojnë dhjetëra mijëra kroatë, të cilëve u njihet e drejta e minoritetit, që janë bërë mollë sherri për shkak të tensioneve të trashëguara mes dy vendeve.