Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, inauguroi ditën e djeshme kilometrat e para të autostradës së ‘Paqes’ që pritet të kalojë nga Nishi për në Merdarë, Prishtinë, Tiranë dhe Durrës, raportojnë mediat serbe.
“Jam krenar që kjo autostradë do të na lidhë me shqiptarët”, -u shpreh ai duke theksuar se tregtia mes Serbisë dhe Shqipërisë është rritur me 35 për qind në vitet e fundit.
Vuçiç shtoi se ky aks rrugor, të cilin e konsideroi si shtylla kurrizore e Ballkanit Perëndimor, do të jetë një ndër autostradat më të ngarkuara në 20 vitet e ardhshme. Në të njëjtin mendim ishte edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Beograd, Emanuel Zhiufre.
“Kjo rrugë do të lidhë jugun e Serbisë me rrjetin e Ballkanit Perëndimor dhe do të mundësojë qarkullimin e lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit, nga Nishi përmes Prishtinës në Tiranë dhe më gjerë”, -theksoi ai.
Kjo autostradë është një nga projektet e përfshira në marrëveshjen për normalizim ekonomik të nënshkruar më 4 shtator në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.