Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të premtën se Serbia po tregohet serioze dhe përgjegjëse përderisa po ballafaqohet me provokime të ashpra nga Prishtina e cila po kërcënon sigurinë e serbëve të Kosovës si dhe paqën e stabilitetin në rajon.
Vuçiç zhvilloi një bisedë telefonike mbi situatën në Kosovë, me komesarin për zgjerim të BE-së, Johanes Hahn. Ata janë pajtuar se është e nevojshme të ruhet paqja dhe qetësia, njoftoi kabineti i presidentit serb.
Më herët, presidenti serb, tha se forcat e KFOR-it qëllimisht mashtruan opinionin publik dhe se tashmë është e qartë se me urdhër të kujt dhe në marrëveshje me cilat fuqi kanë gënjyer përfaqësuesit e NATO-s.
Në njoftim thuhet se presidenti i Serbisë Vuçiç dhe kryeministrja, Ana Bërnabiq, takuan ambasadorin e Kinës në Beograd Li Mançang, të cilin e lutën që t’ia përcjellë udhëheqjes kineze se “Serbia asnjëherë nuk ka qenë në situatë më të vështirë”.
Kryeministrja Bërnabiq ka thënë se rritja e taksës për mallrat serbe në 100 përqind është çështje që duhet të trajtohet nga Kombet e Bashkuara pasi UNMIK-u është njëri ndër nënshkruesit e CEFTA-s.
Ajo theksoi se pret reagimin e Bashkimit Evropian, pasi bëhet fjalë për shkelje të marrëveshjes së stabilizim-asociimit si dhe të CEFTA-s.
Ambasadori kinez, ka thënë gjatë takimit, se presidenti kinez do të njoftohet për gjitha zhvillimet dhe se Serbia mund të llogaris në mbështetjen e Kinës