“Në garën për të qenë presidenti i ardhshëm i Serbisë, Kryeministri serb Aleksandar Vucic thotë se ai ka pësuar një transformim nga nacionalisti i papërkulur që ai ishte dikur, duke kundërshtuar akuzat opozitare se ai është një autokrat i etur për pushtet dhe që ka tendenca autoritariane” .

Kështu ka nisur shkrimi i së përditshmes britanike The Guardian, ku pasqyrohet rruga dhe transformimi i Vucic deri më tani. Kryeministri 47-vjeçar është pretendenti kryesor mes 11 kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen ditën e dielë dhe sondazhet tregojnë se ai mund të fitojë më shumë se 50% të votave në raundin e parë. Fitorja e tij, vijon “The Guardian”, mund të forcojë pozitën e tij të padiskutueshme si politikani më i fuqishëm serb. Sidoqoftë, kritikët shqetësohen se Vucic mund të bëhet tepër i pushtetshëm, në një kohë kur ai efektivisht dominon institucione shtetërore tepër të rëndësishme.

Ata vënë në dukje rolin e Vuçiç si Ministër i Komunikimit në periudhën e Milloshevicit, kur ai gjobiste gazetat që thyenin rregullat e censurës gjatë konfliktit me NATO-n mbi Kosovën. Por Vuçiç është shprehur se:” Vetëm gomari nuk ndryshon”, një shprehje në gjuhën serbe. Ajo çfarë është përgjegjësia më e rëndësishmë për të është stabiliteti. Analistët thonë se vendimi i Vucic për të kërkuar presidencën nxitet nga sondazhet që tregojnë se Presidenti Nikolic do të humbasë, një rezultat që mund të kërcënojë dominimin politik të Vuçiç. Por duke adresuar akuzat për autokraci, kryeministri argumenton se ai është i hapur për diskutime apo pyetje, dhe këto komente nuk janë shqetësuese për të. Reklamat pro Vuçiç janë më të shumta se të të gjithë kundërshtarëve të tij të marrë sëbashku, falë financimit superior elektoral. Në mungesë të garës serioze, vëmendja është përqëndruar në 25-vjeçarin Luka Maksimoviç, një student që garon nën alter egon e tij dhe satirizon politikanët.

The Guardian mbyll shkrimin duke bërë një krahasim me komedo-politikanin italian Beppe Grillo, lëvizja e të cilit tashmë është konfirmuar si forcë politike. Serbia i drejtohet nesër zgjedhjeve presidenciale, ku mbi 6.5 milionë persona kanë të drejtën e votës. Mbi 8.300 qendra votimi janë vendosur në Serbi dhe 90 janë vendosur në Kosovë, ku të pranishëm do të jenë edhe zyrtarë të OSBE. Ndërkohë, votuesit serbë që jetojnë në Britaninë e Madhe, Kanada dhe SHBA, kanë filluar që sot të votojnë për zgjedhjet presidenciale.

Artikulli paraprakDIGJET PARLAMENTI NGA PROTESTUESIT NË PARAGUAI
Artikulli tjetërMESSENGER DO DALË JASHTË PËRDORIMIT JAVËN E ARDHSHME