Serbia do të hetojë ngjarjet që çuan në përleshje të armatosura në manastirin në Banjskë të Zveçanit, ngjarje për të cilën Kosova e fajëson Beogradin, tha presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, duke mohuar çdo përfshirje të Qeverisë serbe në këtë ngjarje. Një grup i armatosur – që sipas Kosovës ishte i përbërë prej rreth 30 personash – sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Policia më pas tha se në përleshje u vranë edhe tre sulmues. Vuçiç i tha Reutersit se Beogradi dënon vrasjen e policit dhe shtoi se Serbia “do të nisë procedurat para trupave gjyqësorë” për të hetuar të dyshuarit.
“Se çfarë krimesh do të dyshohen, kjo u përket prokurorëve”, tha ai.
Vuçiç përsëriti pretendimin se një prej sulmueseve të vrarë është qëlluar në kokë nga Policia e Kosovës “nga një distancë prej një metër” pasi, sipas tij, ai ishte dorëzuar, duke e cilësuar këtë si “ekzekutim”.
Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, mohoi këto pretendime të Vuçiçit.
“Zyrtarët tanë kurrë nuk do të bënin diçka të tillë. Njërit prej të arrestuarve iu dha ndihma mjekësore në vendin ku u arrestua, me synim që t’i shpëtohej jeta, pasi ai ishte i plagosur”, tha ai.
Vuçiç mohoi akuzat e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se Beogradi qëndron pas kësaj ngjarjeje. Lideri serb tha se Serbia nuk do të përfitonte asgjë nga kjo dhe vetëm do të rrezikonte pozicionin e saj në dialogun me Kosovën, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
“Pse kjo do të ishte në të mirë të Beogradit? Cili do të ishte qëllimi? Për të shkatërruar pozicionin tonë që e kemi ndërtuar që një vit? Për ta shkatërruar brenda një dite?… Serbia nuk do luftë”, tha ai.
Vuçiç po ashtu u zotua se Serbia do të hetojë origjinën e armëve që u konfiskuan nga Policia e Kosovës pas incidentit. Policia i ekspozoi armët dhe pajisjet e tjera që u gjetën në Banjskë, në mesin e të cilave kishte pushkë, mitralozë, raketahedhës, mina, granata dhe dronë. Presidenti serb tha po ashtu se Millan Radoiçiç – nënkryetari i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – i cili sipas autoriteteve të Kosovës udhëhoqi dhe mori pjesë në sulm, “do të merret në pyetje nga prokurorët”. Vuçiç sërish akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se dëshiron të dëbojë serbët nga Kosova.
“Shkaku i të gjitha problemeve në Kosovë është Albin Kurti. Ai është i cili e solli gjithë këtë situatë”, tha Vuçiç.
Ai tha se refuzimi i Kurtit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka nxitur tensionet që çuan në dhunën në Banjska. Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Por, Qeveria e Kosovës druan se një asociacion një etnik mund të cenojë funksionalitetin e shtetit. Vuçiq tha për Reuters se pozicioni i Serbisë sa i përket Kosovës “është i tmerrshëm” , por tha se Serbia do të qëndrojë me njerëzit e saj.
“Zgjidhja është gjithmonë dialogu”, tha ai.