Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar në një intervistë për të përditëshmen gjermane, “Süddeutsche Zeitung” që pavarësisht se shteti i tij nuk e njeh Kosovën, kjo nuk e ka penguar rajonin të ruajë stabilitetin. I pyetur nëse do të çonte në referendum ndryshimet kushtetuese për statusin e Kosovës, Vuçiç tha se populli serb nuk do ta pranonte kurrë një gjë të tillë.

Por sipas tij, marrëdhëniet mes palëve nuk do të cënohen, edhe për shkak të përmirësimit të relatave me Shqipërinë. Madje Vuçiç kujton vizitën e Ramës në Beograd menjëherë pas ndeshjes së futbollit nëntorin e kaluar si shembull për përmirësimin e klimës në Ballkan, ndërsa konfirmon se do të vijë në Shqipëri për takimin e kthimit të kulifikueseve të Euro 2016. Gjatë vizitës së tij në bavari, ku është takuar me kryeministrin e landit më të pasur gjerman, Hërst Zehofer, dhe investitorë të ndryshëm vendas, Vuçiç ka kërkuar më shumë mbështetje për Ballkanin, ndërsa ritheksoi edhe një herë që Serbia i mban sytë nga Bashkimi Europian dhe jo nga Rusia. Në lidhje me problemin akut të emigrantëve, Vuçiç propozoi në Bavari që Gjermania të japë më pak mbështetje financiare për azilkërkuesit, të cilët duan të përfitojnë sa më shumë nga skemat sociale të shtetit më të fuqishëm të Bashkimit Europian.

Artikulli paraprakMETA NË PANAIRIN E LIBRIT NË ULQIN
Artikulli tjetërADRIAN PACI WORKSHOP ME STUDENTËT E SKULPTURËS