Presidenti Aleksandër Vuçiç nuk e përjashton mundësinë që nisma rajonale e “mini-Shengenit” të bie pre e presionit të jashtëm.

Në një intervistë për televizionin serb “O2”, kryeshtetari serb tha të hënën se qarqet europiane janë hezituese ndaj projektit më të ri ballkanik.

“Atyre nuk u pëlqen që Ballkani po sheh punën e vet, e kanë të vështirë kur nuk vendosin dot për ne. Por nga ana tjetër as nuk mund ta kundërshtojnë drejtpërdrejt sepse iniciativa është pjesë e katër lirive dhe vlerave që përbëjnë Bashkimin Europian, dhe që janë e drejta e lëvizjes së lirë të njerëzve, e kapitalit, e shërbimeve dhe e produkteve,” deklaroi Vucic.

Sipas tij, sapo të gjitha vendet e rajonit të ndërgjegjësohen për nismën, përfitimet do të jenë të padiskutueshme dhe miliarda dollarëshe.

Në këtë këndvështrim ai rezervoi disa fjalë të mira edhe për kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

“Kryeministri Rama është në favor të bashkëpunimit tonë ekonomik, ndryshe nga disa të tjerë në rajon që këmbëngulin se ne duhet vetëm të kërkojmë ndjesë pasi jemi popull gjenocidal. Por kjo është politika e tyre. Rama, për nismën e Shengeni të vogël, ka treguar kurajë të rrallë,” shtoi Vucic.

I pyetur në lidhje me perspektivën e rifillimit të dialogut Prishtinë-Beograd, Vuçiç përsëriti qëndrimin se situata mbetet e paqartë për aq kohë sa Kosova nuk ka një qeveri dhe as vendim për anulimin e tarifave 100 për qind për produktet serbe.

Komentet e presidentit të Serbisë vijnë pas samitit rajonal që u organizua në fundjavë në Tiranë me praninë e tij dhe zyrtarëve më të lartë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, për t’i hapur rrugën takimit tjetër në Beograd në shkurt 2020.

Artikulli paraprakFESTAT E FUNDVITIT/ FLUKS NË KAPSHTICË, JA SA SHTETAS HYNË NË 24 ORËT E FUNDIT
Artikulli tjetërRAMA MBLEDH KRYESINË E PS-SË, NË FOKUS SITUATA BRENDA PARTISË! SOT VENDOSET PËR SHPËRBLIMIN E PENSIONISTËVE