Presidenti aktual i Serbisë dhe lideri i Partisë Përparimtare Serbe, Aleksandar Vuçiç, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të mbajtura më 3 prill.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga organizatat joqeveritare në Serbi, IPSOS/CeSid, kandidati i Partisë Përparimtare Serbe dhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka fituar 59.8 për qind të votave në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 3 prill.

Këto të dhëna dalin pas përpunimit të 55.6 për qind të votave, që i japin Vuçiçit edhe një mandat pesëvjeçar në krye të Serbisë.

Presidenti mund të zgjidhet në rundin e parë nëse merr më shumë se 50 për qind të votave të vlefshme. Në të kundërtën, dy kandidatët me më së shumti vota përballen në rundin e dytë të balotazhit.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga IPSOS/CeSid, në bazë të 62.5 për qind të votave të përpunuara, lista “Aleksandar Vuçiq – Së bashku mund të bëjmë gjithçka” ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare, përkatësisht 43.6 për qind.

Ndërkaq, koalicioni opozitar “Të bashkuar për fitore” pritet të dalë partia e dytë parlamentare me 12.9 për qind të votave.

Partneri i koalicionit të SNS-së, Partia Socialiste e Serbisë, sipas rezultateve paraprake, ka fituar 11.6 për qind të votave.Koalicioni NADA pritet të fitojë 5.4 për qind, teksa koalicioni “Ne duhet” 4.3 për qind, Dveri 4 për qind dhe Zavetnici 3.9 për qind të votave.Të dielën, më 3 prill, qytetarët serbë votuan në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, teksa zyrtarët zgjedhorë thanë se dalja në zgjedhje mund të jetë deri në 60 për qind të votuesve.

Kjo është një shifër më e lartë e pjesëmarrjes në zgjedhje, krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, kur kishin votuar 48.8 për qind e votuesve.Në zgjedhjet e Serbisë të drejtë vote kanë pasur 6.5 milionë votues.

Përfaqësuesit e Komisionit të Zgjedhjeve në Serbi njoftuan se nuk do të shpallin rezultatet preliminare të zgjedhjeve gjatë natës së zgjedhjeve. Kjo është hera e parë që ky komision njofton për një vendim të tillë. Opozita ka kritikuar vendimin e komisionit duke e cilësuar si të paprecedent.Komisioni tha se do të shpallë rezultatet të hënën më 4 prill deri në orën 20:00./ REL

Artikulli paraprakNGJARJA TRONDITËSE NË GREQI, NËNA TENTOI TË VRASË PESË HERË BRENDA 13 ORËVE VAJZËN, JA GJENDJA E SAJ
Artikulli tjetërTË ARDHURAT NGA TAKSA E QARKULLIMIT 160 MLN EURO PËR VITIN 2021