“Është një çnderim që më kanë bërë”.
Kështu e cilëson portieri i Korabit Miroslav Vujadinoviç pezullimin nga drejtuesit e skuadrës dibrane teksa e kanë akuzuar për tolerim në ndeshjen ndaj Vllaznisë dhe 5 ndeshje të tjera. Portieri thotë se ndaj kuqebluve nuk ka qenë në fushën e lojës dhe se nuk ka bërë asnjë ndërhyrje siç mund të pretendohet. Pezullimin Vujadinoviç e quan një goditje të rëndë. “Në ndeshjen Korabi-Vllaznia unë kam qenë i dëmtuar dhe s’kam qenë në lojë. Pezullimin e kam marrë vesh nga mediat. Unë e dua Shkodrën dhe Vllazninë por sikur edhe kundër vëllait tim të luaj do isha kundërshtar i tij. Si mund të ndikoj nga shtëpia ime në Podgoricë në një ndeshje. Unë kam qenë i dëmtuar dhe drejtuesit e kanë ditur këtë gjë. Me juristin tim dhe federatën e Malit të Zi kam zhvilluar një takim. Ky pezullim për një sportist është një goditje e rëndë dhe një çnderim që i bëhet një personi. Kam 7 vite në Shqipëri dhe kam qëndruar vetëm se kam kualitete sportive dhe njerëzore. Më akuzojnë për 5 ndeshje të kaluara por pse s’kanë dalë më përpara të thonë por tani kur unë s’kam asnjë faj. Drejtuesit më përpara më janë lutur që të rri dhe t’i ndihmoja. Kemi 3-4 muaj pa u paguar dhe na kanë larguar nga restoranti sepse nuk ishin bërë pagesat e ushqimit të sportistëve. Drejtuesit e Korabit e dinë që unë kam lënë nënën time që e kam shumë të sëmurë dhe kam ardhur në ndeshje për të mbrojtur portën dhe biles më kanë falenderuar 100 herë tani më akuzojnë, është turp kështu” Për Vujadinoviç nuk ka kthim mbrapa tek Korabi ndërsa ata që e kanë pezulluar thotë portieri do të përgjigjen mirë për këtë që i kanë bërë. “Nuk dua që të kërcënoj askënd sepse dua t’u them gjithë atyre që e kanë bërë këtë do përgjigjen mir. Unë jam i pezulluar deri në fund të sezonit dhe siç duket klubi nuk do paguaj operacionin dhe borxhet e rrogave. Unë i pyes ata me cilat të ardhura do mbaj veten, do ushqej fëmijën tim dhe do bëj operacionin. Kur njëherë dikujt i them jo, nuk mund të kthehem më. Kjo që ata kanë bërë mbetet një letër për gjithë jetën dhe djali im që është portier si unë do e shohë kurdoherë dhe si mund t’ia fal kujtdo këtë. S’ka të bëjë fare me paratë sepse ne malazezët dhe ju shqiptarët kemi një ngjashmëri që është fytyra e pastër”. Vujadinoviç i pyetur për një rikthim tek Vllaznia pas pezullimit tek Korabi u shpreh se kuqeblutë janë një skuadër që ai e do shumë ndërsa la gjithçka të hapur në rast se drejtuesit e Vllaznisë kanë interes që ai të rikthehet në portën shkodrane.