Policia e Lezhës në bashkëpunim me atë të Shkodrës kanë gjetur edhe 114 kilogram të tjera e dyshuar si lëndë narkotike cannabis sativa duke shkuar në total në 314 kg të sekuestruara pasi më parë u gjetën edhe 200 kg cannabis.
Sasia prej 114 kg e dyshuar si drogë u sekuestrua në vijim të operacionit të koduar “West Univers” ku u arrestuan 6 persona dhe u shpallën në kërkim 2 të tjerë.
Lënda narkotike prej 114 kilogramësh u gjet pas kontrolleve të ushtruara nga policia e Shkodrës dhe e Lezhës, të mbështetura nga Forcat Speciale dhe të FNSH-së. Sasia e dyshuar si cannabis sativa u sekuestrua në lagjen “Nënë Tereza” në qytetin e Lezhës.
Lënda narkotike, me peshë 114 kg, u gjet në afërsi të banesës së shtetasit S. N. i cili është shpallur në kërkim policor pas arrestimit të 6 shtetasve të tjerë. Në oborrin e ndërtesës u gjet edhe një mjet, tip furgon, brenda të cilit kishte mbetje lënde narkotike.
Dyshohet se ky mjet është përdorur për transportimin e lëndës narkotike në destinacione të ndryshme. Operacioni “West Univers”, sipas policisë do të vijojë për kapjen dhe arrestimin e të gjithë personave të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
Gjykata e shkallës së parë në Shkodër dha masën e sigurisë “arrest me burg” për 6 të arrestuarit ku u sekuestruan 200 kg cannabis sativa pas dyshimeve se do shkëmbeheshin për tregtim.
Kështu në burg mbetën shtetasit Ardit Haxhagiçi, 34 vjeç, Fatbardh Gostini, 37 vjeç, Neritan Saraçi, 51 vjeç, Rezart Cacani, 34 vjeç, Ramadan Dushaj 61 vjeç dhe Vilson Noka, 27 vjeç.
Të gjashtë personat në sallën e gjyqit kanë mohuar të kenë lidhje me sasinë prej 200 kilogram të dyshuar si cannabis sativa ndërsa u shprehën se kanë rënë në grackën e policisë sepse kishin shkuar për t’u marrë vesh për tregtimin e produkteve bujqësore dhe jo për drogë siç akuzohen.
Policia vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë në kuadër të operacionit “West Univers”.