Reforma në drejtësi, Wilton: Ekziston vetëm nëse zbatohet në terren
OSBE i bën thirrje politikës për zbatimin në terren të reformës në drejtësi. Nga Gjirokastra ku mori pjesë në tryezën për shërbimin e Provës, kryetari në detyrë i prezencës, Robert Wilton tha se reformat e miratuara në parlament janë një hap vigan për sistemin e drejtësisë, por ato marrin jetë vetëm duke u zbatuar. Wilton: Po ecim në drejtimin e duhur, reformat që janë miratuar në kuvend, janë hapa vigan dhe pozitiv për sistemin e drejtësisë, tash kërkojmë zbatim. Ne besojmë se reforma ekziston veç nëse zbatohet në terren. Në lidhje me shërbimin e provës, OSBE kërkoi sërish që vëmendja të jetë tek të miturit. Wilton: Sot kemi dëshirë me e ngrit vëmendjen dhe ndërgjegjësimin për përdorimin e shërbimit të provës në Shqipëri. Në Shqipëri ka një sistem prove funksionues, profesional. Sistemi i provës ka efekte shumë pozitive për rehabilitimin dhe riintegrimin e atyre që janë dënuar me provë dhe jo burgim. Është sistem shumë më i lirë dhe në përgjithësi kur ka mundësi, shumë më efikas. Ne si OSBE tentojmë me e ngrit, me e përhap përdorjen e provës si një aletrnativë për dënim me burg. Është opsion shumë pozitiv për funksionimin e sistemit të drejtësisë. Ka shumë efekt pozitiv për një shoqëri demokratike. Është një sistem që përshtatet shumë për më të rinjtë. Sidomos nëse është shkelja e tyre e parë. Përshtatet shumë më shumë që ata janë të mbikqyrur me vëzhgim elektronik, është një mënyrë me e dënu dhe me e kufizu, por në të njëjtën kohë me i ofru mundësi me mësu dhe me u rehabilitu në jetën normale. Në tryezën për dënimet alternative e mbajtur në Gjirokastër pjesë e diskutimit u bënë zëvendësministri i Drejtësisë, Arben Isaraj, gjyqtarë e prokurorë nga rrethet gjyqësore Gjirokastër, Sarandë e Përmet, si dhe përfaqësues të Shërbimit të Provës.