Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka deklaruar se do të goditen dhe do të vihen para drejtësisë të gjitha grupet kriminale, si dhe pasuria e tyre e krijuar nga aktiviteti kriminal.

Nga qyteti i Durrësit, ministri Xhafaj theksoi se është bërë skanimi i të gjitha grupeve kriminale, anëtarëve dhe drejtuesve të tyre, si dhe pasurisë që ata posedojnë, dhe tani do të bëhet goditja e tyre, gjë e cila kërkon kohë.

Xhafaj paralajmëroi ‘kokat’ e bandave kriminale se jo vetëm do të përfundojnë në burg, por do t’iu merret dhe pasuria e tyre, e cila do të vihet në shërbim të qytetarëve.

Ndër të tjera, ai shtoi se tre grupe kriminale, që kanë aktivitet të gjatë për 10-15 vite, veprojnë në Durrës dhe janë me rrezikshmëri të lartë shoqëror.

‘Forca e ligjit’ i dedikohet luftës kundër grupeve të strukturuara kriminale. Është bërë skanimi i të gjitha grupeve kriminale, anëtarëve dhe drejtuesve të tyre, si dhe pasurisë që posedojnë këto grupe kriminale e krijuar nga aktiviteti kriminal.

Duhen prova të nevojshme, ne sot dimë cilat janë grupet kriminale, aktivitetin e tyre dhe çfarë fuqie posedojnë. Do t’i vëmë këto para përgjegjësisë, një pjesë janë në proces hetimi, ndërsa janë arrestuar shumë persona si pjesë e këtyre grupeve. Një numër i këtyre grupeve janë këtu në Durrës.

Ne do t’i godasim ato jo nga pikëpamja fizike, por nga pikëpamja e ligjit. Krahas ndëshkimit, jemi të fokusuar edhe te hetimi dhe goditja e aseteve kriminale të tyre, sepse jo vetëm që ata do të bëjnë burg, por edhe pasuria e tyre nuk do të jetë më pronë e tyre, por do të kthehet në shërbim të qytetarëve.

Nuk e pranoj faktin që 2 apo 3 grupe kriminale, që kanë aktivitet të gjatë në vite, për 10-15 vjet këtu në Durrës, dhe janë me rrezikshmëri të lartë shoqërore, nuk janë karakteristika dalluese e këtij komuniteti.

Ata nuk kanë asgjë të përbashkët me qytetarët e Durrësit, Krujës e Fushë Krujës, ashtu siç nuk kanë asgjë të përbashkët me këta qytetarë ata që janë marrë me kultivimit e kanabisit. Jemi të vendosur të çojmë përballë ligjit cilindo që do të merret, do ndihmojë, do mbështesë apo favorizojë kultivimin e kanabisit”

Ndër të tjera, ministri Xhafaj foli dhe për policimin në komunitet, duke siguruar se do të ketë polic në çdo lagje të vendit. Sipas tij, policët e lagjes do të ketë detyrë të njohin zonën dhe hallet e qytetarëve, për të krijuar në këtë mënyrë një lidhje më të afërt mes policisë dhe njerëzve.

“Do kemi një prezencë më të madhe të kontrollit të territorit. Do të ketë policë nëpër lagje. Detyra e tij është të njohë zonën, të njohë komunitetin, banorët. Banorët e asaj zone të dinë kush është polici i tyre, me të cilin do të qajnë një hall, një problem.

Kjo do ta sjellë shumë afër policinë ndaj qytetarëve, do krijojë lidhje më të afërt mes tyre. Do krijojmë marrëdhënie të re mes administratës dhe qytetarit. Një kriter shumë i rëndësishëm për vlerësimin e policëve do të jetë vlerësimi i komunitetit.

Do të ngrihen këshillat e sigurisë vendore, më nivel qarku dhe bashkisë. Do të marrin pjesë drejtuesit e agjencive ligjzbatuese, përfaqësues të komuniteteve fetare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe autoritetet vendore në nivel qarku dhe bashkie”

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, nuk ka kursyer kritikat ndaj kryebashkiakut Vangjush Dako, teksa ndodhet në qytetin e Durrësit në ‘Forumin qytetar për sigurinë publike’.

Xhafaj i tha Dakos në sy se zhurma në qytetin e Durrësit është një problem katastrofik. Ai deklaroi se do të merrem menjëherë masa për të vendosur më shumë qetësi në qytetin bregdetar, teksa shtoi se bashkë me Dakon po merren masat dhe hapat e duhur.

“Policia në Durrës ka përmirësime të ndjeshme në punën e saj. Vlerësoj punën e tyre për ndryshimet pozitive, duke shpresuar që kjo do të shoqërohet me rezultate të rëndësishme në trajtimin e fenomeneve të rëndësishme, si zhurma që është katastrofë.

Së bashku me Dakon do mund të përcaktojmë hapat dhe kohën e nevojshme, policia do të marrë detyrat e veta. Problemi me mjedisin, policia do duhet të jetë shumë e vëmendshme. Gjithashtu, çështja tjetër ka të bëjë me portin e Durrësit, për të cilën ka shumë ankesa”

Artikulli paraprakRAMA FLET PËR KUNDËRSHTARIN E PS: NE NUK NA MUND DOT ASKUSH
Artikulli tjetër“HARROI” DIÇKA NË DERË, ARRESTOHET SUPER-HAJDUTI SHQIPTAR