Pas vendimit të FIFA-s se lojtarët kosovarë që janë aktivizuar me përfaqësuese të tjera në Euro 2016, nuk mund të përfaqësojnë Kosovën, ka reaguar Ragip Xhaka, babai i Granitit, njëri prej futbollistëve më të sulmuar nga opinioni publik kosovar.
Përmes një letre të hapur, Xhaka i kërkon Federatës së Futbollit të Kosovës, që të paktën të kërkojë falje. “Me një shpejtësi të rrufeshme hodhët baltë mbi djemtë e mi duke i etiketuar si tradhtarë apo si njerëz që e shesin veten për para, ose edhe më keq, kur dikush edhe kërcënonte që të mos vijmë në Kosovë. Më ka dhembë zemra nga etiketimet si tradhtar ndaj Granitit, por preferova të hesht. E pikërisht tani FIFA sqaroi pikërisht gjithçka, në emër të familjes XHAKA ju pyes: “ A nuk e ka merituar tani XHAKA një falje publike, të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë?” Unë them që po!” Komunikata e FIFA-s sqaroi se lojtarët kosovarë që aktivizohen me përfaqësuese të tjera pas datës 13 Maj, datë kur u njoh zyrtarisht FFK, nuk mund të veshin fanelën e Kosovës, duke i dhënë fund polemikave.