Policia e Shkodrës në një aksion blic ka zhvilluar disa kontrolle për mjetet me xhama të zi por edhe ata pa dokumenatacion.
Aksioni është zhvilluar në disa zona kryesore të qytetit të Shkodrës përnjëherësh duke goditur ata që bëjnë rolin e të fortit me makinat e tyre. Kohët e fundit mjetet që lëvizin me xhama të zinj në qytetin e Shkodrës por edhe ato me mungesë dokumentacioni duke shkelur edhe rregullat e qarkullimit rrugor janë kthyer në një problem për qytetarët duke detyruar policinë vendore që të ndërmarrë këtë aksion blic.
Forcat e policisë pas kontrolleve të ushtruara në zonat ku lëvizja e mjeteve është më e madhe dhe në orare piku është arritur që të sekuestrohen disa makina me xhama të zinj por edhe disa të tjera për mungesë dokumentacioni. Tashmë ka nisur sezoni turistik dhe numri i turistëve të huaj dhe vendas vetëm vjen e shtohet në Shkodër ashtu siç edhe numri i shtetasve shqiptar që jetojnë në vendet e ndryshme të Europës të cilët zgjedhin që ditët e pushimit t’i kalojnë pranë familjeve të tyre.
Në këtë mënyrë lëvizja e mjeteve me xhama të zinj apo mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor është shqetësues. Forcat e policisë edhe në ditët në vijim do ndërmarrin aksione të tilla për të mbajtur nën kontroll situatën.