Uji ka përmbytur xhaminë e plumbit.

Reshjet e dendura të shiut të këtyre ditëve kanë bërë që tashmë xhamia të jetë nën ujë dhe besimtarët të mos kenë se ku të falen. Në mars të këtij viti “Star Plus” e paralajmëroi një përmbytje të tillë kur kjo xhami atëherë u rrethua nga uji por pa u përmbytur. Kësaj radhe reshjet e dendura të rëna thuajse papushim kanë bërë që xhamia e plumbit të përmbytet. Natyrisht që është një turp për mbarë institucionet që kanë përgjegjësi të cilat lënë në këtë mënyrë një objekt të tillë kulti. Sa e sa herë është folur e premtuar për mbrojtjen e kësaj xhamie por deri më sot nuk ka asnjë masë konkrete. Patjetër që çdo herë që përmbytet pjesa infrastrukturore dëmtohet duke marrë parasysh edhe vjetërsinë. Kjo përmbytje që vjen në xhaminë e Plumbit nuk është e papritur si në ndonjë zonë tjetër. Xhamia jo vetëm se përmbytet për çdo vit por madje disa herë brenda vitit. Gjithë këto vite është bërë shumë pak për t’i ardhur në mbrojtje në mënyrë që të mos përmbytet më. Bashkia Shkodër ka bërë një investim për një tubacion që mundëson kullimin e ujit në raste të tilla por siç duket sasia e madhe nuk përballohet. As ndërhyrjet e tjera të vogla që janë bërë nuk kanë sjellë një mbrojtje totale për të shmangur përmbytjet. Edhe premtimet e dala nga zyrat e prefekturës herë pas here janë harruar. Uji ka kaluar derën hyrëse dhe ka mbuluar jo vetëm të gjithë oborrin por është futur edhe brenda në xhami duke qenë totalisht e përmbytur. Pritet që të ketë një investim nga qeveria turke me një vlerë prej 2 milion dollar por ende nuk dihet nëse ky projekt përfshin edhe mbrojtjen e xhamisë së plumbit nga përmbytjet sepse do të duhej një fond edhe më i madh. Ministria e Kulturës që është përgjegjëse direkte në këtë mes vazhdon të jetë në gjumë ndërsa ky objekt kulti me një histori shekullore e identifikuese për shqiptarët lihet të rrëmbehet nga uji. Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitin 1773 dhe është monument kulture i kategorisë së parë.

Artikulli paraprakPËRMBYTJA NË XHAMINË E PLUMBIT, MYFTINIA REAGON ASHPËR
Artikulli tjetërPËRMBYTET NJËSIA ADMINISTRATIVE ANA E MALIT