Partizani ka bërë një super-goditje në merkaton. Xhevahir Sukaj është përforcimi i radhës i 15-të herë kampionëve të Shqipërisë për sezonin e ri. Duket se dështimi në Europa League, ku të kuqtë u eliminuan nga norvegjezët e Stromgodset, nuk e ka demoralizuar aspak presidentin Gazmend Demi, i cili ka vendosur që të fuqizojë ekipin për sezonin e ri.

Lajmi është zyrtarizuar nga vetë klubi i kuq, kur në faqen zyrtare të klubit në internet është hedhur foto e presidentit Demi, duke shtrënguar duart me Sukajn pas firmosjes së kontratës. Në fakt kishte ditë që ishte përfolur një kalim i mundshëm i sulmuesit shkodran tek Partizani, por vetëm dje në mesditë është arritur edhe marrëveshja përfundimtare. Tashmë është zyrtare Xhevahir Sukaj është lojtari më I ri i “Demave të kuq”. Sukaj kërkohej nga shumë skuadra, që pas largimit nga Irani, ku fitoi titullin kampion në sezonin e fundit me Sepahanin. Një nga skuadrat që u interesuar më shumë për Sukajn ka qenë Tirana, por në fund shkodrani zgjodhi Partizanin për të vazhduar karrierën e tij. Në Iran, Sukaj luajti në total për 3 sezone duke arritur të fitojë 2 herë trofeun e kampionit dhe duke qenë njëri prej lojtarëve më të dashur nga tifozët iranianë. Sukaj shikohet si një lëvizje e rëndësishme në sulm për kryeqytetasit, që gjejnë tashmë një sulmues të mirefillte qe ofron garanci përpara portes. 27-vjecari do te prezantohet përpara mediave sot në orën 12:00 në ambientet e klubit.

Artikulli paraprakZJARRET ,VATRA ZJARRI NË KOMUNËN BUSHAT
Artikulli tjetërVLLAZNIA, MBËRRIN KOSOVARI GAVAZAJ