GJYKATA E SHKODRËS JEP ARREST ME BURG PËR TË DHE ERANDO QATIPIN. Ish-kandidatja për deputete pranon fajësinë për vjedhjen me pasojë vdekjen e gjyshes së saj. 32 vjeçarja Xhoana Hila doli përpara gjykatës së Shkodrës duke deklaruar se i dashuri i saj Erando Qatipi është autor i krimit që çoi në vdekjen e 82 vjeçares Angje Hila. Xhoana Hila në zgjedhjet e 2013-ës kandidoi për partinë Aleanca Demokristiane duke e qenë e 11-ta në listën për Qarkun e Shkodrës.
Me 25 shkurt të këtij viti policia e Shkodrës gjeti të vdekur 82 vjeçaren Angje Hila dhe konstatoi se banesa e saj është grabitur me dhunë. Dy ditë pas ngjarjes Andrea Hila, djali i viktimës bëri kallëzimin në prokurori duke hedhur dyshime të forta tek vajza e vëllait të tij, 32 vjeçarja Xhoana Hila. Për 3 muaj me radhë ish-kandidatja për deputete bashkë me të dashurin 27-vjeçar kanë qenë nën përgjim dhe prokuroria gjatë kësaj kohe ka kryer veprimet hetimore. Pistat e hetimit për prokurorinë kanë qenë disa fillimisht por pas 3 muajve prokuroria lëshoi urdhërin e ndalimit për mbesën e viktimës dhe të dashurin e saj Erando Qatipi bazuar mbi të gjitha dyshimet që të çonin tek këta dy shtetas për veprën penale të “vrasjes me dashje”. Me 25 maj policia bëri arrestimin e dy të dyshuarve për veprën penale “vrasje me dashje”. Në seancën që drejtohej nga gjyqtari Andri Ymeri prokurori Xhevahir Lita kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për të dy shtetasit të dyshuar si autor të krimit. 32 vjeçarja Xhoana Hila me dëshirën e saj kërkoi të shprehej mbi ngjarjen duke pranuar fajësinë për vjedhjen me dhunë me pasojë vdekjen e gjyshes së saj. Ish-kandidatja për deputete tha se ka qenë prezent kur i dashuri i saj Erando Qatipi ka mbytur me jastek 82-vjeçaren Angje Hila e cila ka zbuluar se mbesa dhe 27-vjeçari po kryejnë vjedhjen e bizhuterive prej floriri, unazave dhe orën e floririt bashkë me një shumë lekësh. Edhe 27-vjeçari ka pranuar se është ai autori i vrasjes së të moshuarës. Ditën e ngjarjes për të humbur gjurmët çifti në fjalë u larguan drejt Tiranës me idenë për të jetuar atje edhe pse 32-vjeçarja ishte rritur nga gjyshja e saj. Më parë Xhoana Hila ka qenë e martuar por më pas është divorcuar dhe ka jetuar kohët e fundit bashkë me të dashurin Erando Qatipi tek shtëpia e gjyshes. Pas masës së sigurisë “arrest me burg” pritet për t’u parë se cili do të jetë vendimi i gjykatës së Shkodrës për dënimin me burg për këta dy shtetas që pranuan vjedhjen dhe vrasjen e 82 vjeçares.