Majlinda Kelmendi afrohet me një tjetër triumf të madh në karrierën e saj. Xhudistja kosovare ka siguruar kualfikimin për në gjysmëfinalet e Kampionatit Botëror që po zhvillohet në Tokio të Japonisë, duke konfirmuar edhe një herë veten mes favoriteve për të fituar titullin kampion për herë të tretë, pas vitit 2013 dhe 2014.
Në çerekfinale, sportistja pejane mundi Ai Shishime, kampione e botës në vitin 2017 dhe një nga kundërshtaret më të forta të Kelmendit. Më parë ajo kishte elimunuar Luz Olvera të Meksikës dhe Agata Perenci nga Polonia. Në gjysmëfinalet e Botërorit të xhudos, Majlinda Kelmendi do të përballet me sportisten vendase, Abe, që gjithashtu konsiderohet mes pretendenteve për titullin kampion.
Ai Shishime kishte fituar ndaj Kelmendit në botërorin e 2017-ës dhe kësaj radhe fitorja e kosovares ndaj saj shërbeu edhe si hakmarrje në sportin e xhudos. Majlinda Kelmendi është një nga sportistet më të mira e kombit shqiptar me dy tituj kampion bote dhe shumë pranë titullit të tretë.
Ajo ka nderuar duke ngritur lart emrin e shqiptarëve me sukseset e mëdha të arritura duke qenë një ambasadore e sportit shqiptar në mbarë botën. Kelmendi është vlerësuar maksimalisht në Kosovë dhe Shqipëri për këto arritje të saj ndërsa të gjithë janë në mbështetje që kosovarja të arrijë edhe titullin e tretë kampion bote në xhudo.
Natyrshëm që nuk do të jetë e lehtë por tashmë xhudistja është shumë pranë edhe kësaj here për ta bërë realitet dhe të gjithë presin kurorzimin e Kelmendit edhe një herë tjetër çka do t’i shtonte edhe më shumë vlerat asaj duke e kthyer në sportisten absolute shqiptare sa i përket titujve botëror të fituar në arenën ndërkombëtare.