Xhovani Shkoza është shqiptari i cili është renditur mes 16 xhudistëve më të mirë të Evropës.
Shqipëria u përfaqësua me dy sportistë në Kupat e Evropës që u zhvillua në Cluj-Napoca të Rumanisë. Në këtë aktivitet të rëndësishëm morën pjesë Roland Vasia në peshën 55 kilogram dhe Xhovani Shkoza në peshën 66 kilogram. Ky i fundit arriti që të fitojë 2 ndeshje, të parën me një kroat dhe të dytin me një xhudist të Rumanisë i cili para një jave ishte renditur i 7-ti në Kupën e Evropës të zhvilluar në Berlin të Gjermanisë. Shkoza zhvilloi ndeshjen e tretë me një italian por nuk ia arriti qëllimit që të fitonte duke mos arritur që të futet në 8-shen e Evropës. Gjithsesi renditja mes 16 xhudistëve më të mirë evropian për Xhovani Shkozën është një rezultat i rëndësishëm për xhudon shqiptare. Kjo ishte hera e parë që Xhovani Shkoza mori pjesë në një Kupë Evrope dhe menjëherë arriti një rezultat pozitiv. Kjo tregon qartë se xhudisti i ri i Vllaznisë ka dhënë sinjalet për arritje të tjera edhe më të mëdha në vazhdimësi. Por për të arritur suksese të tjera më shumë se kurrë xhudoja dhe këto sportistë cilësor kanë të domosdoshme mbështetjen nga shteti i tyre. Synimet gjatë këtij viti janë përgatitjet për kampionatin ballaknik që do të jetë dhe Kupën e Evropës që zhvillohet në Poloni në fundit të muajit si dhe kampionatin evropian që do të jetë në Finlandë në muajin Korrik. Tashmë kërkohet jo vetëm mbështetja por edhe investimi në rrugë shtetërore pasi xhudistë me të tilla perspektiva duhet të mbahen afër. Në këtë Kupë të Evropës që u zhvillua në Rumani me pjesëmarrjen e 50 përfaqësuesve nga shtete të ndryshme, investimet për dy xhudistët shqiptar u bënë me sakrificë nga ana e vetë familjarëve të tyre dhe përmes një donatori që ka ndihmuar. Nëse vijohet në këtë lloj mënyre atëherë edhe arritja e rezultateve të larta ndërkombëtare do të jetë e vështirë nga xhudistët shqiptar.