Yee afat 24 orë Bashës për të vendosur për paketën ‘McAllister’ Afati deri të martën në orën 16:00

Zv/sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, i ka lënë një afat 24 orësh kryetarit të PD, Lulzim Basha për të vendosur lidhur me paketën e zv/presidentit të Partive Popullore Europiane, David McAllister. Burime për Shqiptarja.com bënë të ditur se afati i është bërë i ditur Bashës, gjatë takimit që ka pasur sot në mesditë me zyrtarin e lartë të DASH. Takimi Basha-Yee zgjati rreth 90 minuta, ndërsa është dominuar nga fillimi deri në fund nga diskutimet rreth ofertës “McAllister”, të cilën kryetari demokrat e refuzoi në tryezën e negocitave të 25 prillit. Burime: Basha duhet të përgjigjet deri nesër në 16:00 Po të njëjtat burime saktësojnë se Basha duhet të përgjigjet zyrtarisht deri nesër, e martë, ora 16:00. Kujtojmë që kryetari demokrat Lulzim Basha refuzoi negociatat e 25 prillit, kur në tryezë u ofrua pikërisht dokumenti i zyrtarit gjerman i cili parashikonte ndryshime në katër ministri emrat për të cilat duhet t’i propozonte opozita, ndryshime gjithashtu në strukturën drejtuese të Policisë së Shtetit apo dhe për t’i lënë opozitës kryetarin e KQZ-së. Gjithashtu, i njëjti dokument i cili ka marrë edhe miratimin e SHBA, BE e OSBE, parashikon edhe ndryshime në Kodin Zgjedhor, për të ashpërsuar penalitetet lidhur me rastet e shitblerjes së votës. Një prej problematikave të ngritura kjo nga opozita. PD ‘harron’ kryeministrin, kërkon votim elektronik Gjatë takimit Basha-Yee mësohet se nuk është diskutuar për “kryeministrin teknik”, ndërsa kryedemokrati ka lakuar kërkesën për votim dhe numërim elektronik. Ky insistim i demokratëve parashikon gjithashtu edhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve përtej 18 qershorit. Nga ana tjetër, duket se është “harruar” kërkesa e padiskutueshme deri dje e Bashës për dorëheqjen e Edi Ramës, pasi gjatë takimit me zyrtarin e DASH nuk është cekur fare kjo pjesë. Nga ana tjetër, Hoyt Brian Yee ka qenë i prerë në atë çka i ka kërkuar kryetarit demokrat, duke i lënë një afat 24 orësh për të vendosur nëse do ta pranojë apo jo draftin e David McAllister. Për këtë çështje, Basha pritet të përgjigjet brenda orës 16:00 të ditës së martë. Ndërkohë, në rast se do të kemi një përgjigje pozitive nga Basha, atëherë negociatat pritet të rinisin dhe parashikohet një tjetër takim Basha-Rama në orët në vijim.

Artikulli paraprakSHQIPTARI ME TË DASHURËN GJEORGJIANE KAPEN ME 8 KG KOKAINË
Artikulli tjetër“JERAN” SEKUESTROHEN 63.5 KG KANABIS SATIVA