Yee: Oferta e McAllister e mirë. Duhet dialog mes palëve, koha po skadon
Zëvendës/Ndihmës Sekretari i Shtetit amerikan, Hoyt Brian Yee i është drejtuar selisë blu ku po zhvillon një takim me kreun e PD-së Lulzim Basha, i cili shoqërohet dhe nga aleatët e tij opozitarë. Para këtij takimi ai ka vijuar një drekë pune me gazetarët në një nga restorantet e kryeqytetit. Takimi u zhvillua pa praninë e kamerave. Burimet nga Ora News bëjnë me dije se zyrtari amerikan nënvizoi rëndësinë e mbajtjes së zgjedhjeve. ” Duhet dialog mes palëve, koha po skadon por jemi optimiste. Zgjedhjet janë gjithmonë më të mira kur ka përfaqësim të gjerë. Zgjidhja duhet të vijë nga liderët politike, shpresojmë që do të ketë zgjedhje. Ka një ofertë nga McAllister e cila është e mirë. Shpresojmë që partitë t’a pranojnë. Duhet dialog mes palëve, koha po skadon, jemi optimiste” mësohet të ketë thënë zyrtari i lartë amerikan. Ndërkohë në orën 17 të pasdites, zyrtari i lartë amerikan ka parashikuar dhe një takim me deputetët demokratë që kanë shfaqur zërin e tyre kritik brenda Partisë Demokratike, Astrit Patozi, Majlinda Bregu dhe Jozefina Topalli. Zëvendës/Ndihmës Sekretari i Shtetit amerikan, Hoyt Brian Yee, ndodhet në vendin tonë prej mbrëmjes së djeshme në një përpjekje të fundit për t’i dhënë një zgjidhje krizës politike. Axhenda e takimeve të zyrtarit të lartë amerikan nisi me një takim në Kryeministri me shefin e qeverisë Edi Rama. Takimi që zgjati më shumë se një orë nisi në orën 10:30 dhe përfundoi në 11:48. Në orën 11:52 minuta, Hoyt Brian Yee mbërriti në Kryesinë e Kuvendit ku zhvilloi një takim me kryeparlamentarin Ilir Meta. Takimi përfundoi në orën 12:44. Pas krizës politike 86 ditore dhe pas dështimit të të gjitha negociatave të bëra deri tani, vizita e Hoyt Yee shihet si e fundit që mund të sjellë normalitetin politik në vend.