Humbja në Kupën e Francës nuk është kapërdirë mirë nga ylli i futbollit botëror, Neymar Jr.
Përpos protagonismit në fushën e blertë, ku realizoi 2 gola në 120 minutat kundër Rennes, 27 vjeçari u bë protagonist edhe jashtë fushë.
Ylli i PSG-së u konfliktua fizikisht me një tifoz në shkallët e stadiumit, me videon që tashmë po bën xhiron e botës. Fillimisht, Neymar shtyu dorën e tifozit, i cili në atë moment po e filmonte brazilianin.
Refuzimi i tij bëri që Neymar të nervozohej edhe ta godiste lehtë me grusht tifozin. Një gjest aspak i denjë për një futbollist, sidomos kur ai është lojtari më i kushtueshëm në historinë e futbollit botëror.
Kartoni i Neymar i ka kushtuar PSG-së plot 222 milionë euro.