Takimi i parë mes kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev dhe atij të BDI-së Ali Ahmeti, pas marrjes së mandatit për formimin e Qeverisë, përfundoi pa detaje për mediat mbi çështjet që janë vënë në tavolinë.

Në komunikatën e përbashkët të partive thuhet se janë diskutuar vetëm principet e bashkëpunimit. “Temë e takimit ishin principet e bashkëpunimit, Qeveria reformuese dhe integrimet në BE dhe NATO. Në periudhën e ardhshme do të intensifikohet bisedimet mes dy partive, përfshirë edhe me partitë që dhanë mbështetje për formimin e Qeverisë së re pas të cilave do të kalohet në zgjidhje konkrete për ndarjen e ministrive.

” Për takimin Zaev – Ahmeti, i cili zgjati rreth dy orë, zëdhënësi i LSDM-së Petre Shilegov, deklaroi se të gjithë përkrahin idenë që zgjedhja e Qeverisë të ndodhë së shpejti. Por sipas tij, temë e takimit nuk ka qenë ndarja e mundshme e resorëve ministrore. “Është totalisht e parëndësishme pyetja për ndarjen e resorëve ose ndarjes personale, sipas partive politike, me emra ose resorë. Ajo që është më e rëndësishme për Maqedoninë është që t’i ndërrojmë ose të vendosim principe të funksionimit të sistemit në të cilin qytetarët do ta ndjejnë Qeverinë si të tyren” – deklaroi Petre Shilegov, LSDM.

Akoma nuk dihet se kur do të vihen në funksion grupet e punës me përfaqësues nga të katër partitë të cilët pritet të ulen në tavolinë të përbashkët të negocimit. Nëse Besa do të jetë pjesë e Qeverisë së ardhshme, varet nga bisedimet e mandatarit Zaev me këtë parti e cila ka disa kushte, ku bën pjesë edhe rishikimi i mundshëm i zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryeparlamentar. Ndërkaq Aleanca për Shqiptarët, pret kthimin e Ziadin Selës nga rehabilitimi jashtë vendit, për çka është paralajmëruar edhe një konferencë për shtyp e tij për ditën e hënë.

Artikulli paraprakVETËPLAGOSET PUNONJËSI I SHISH
Artikulli tjetërTURQI, ARRESTOHEN DREJTUESIT E GAZETËS OPOZITARE