Studentët e Juridikut nuk janë vetëm. Asambleja e Personelit Akademik të Fakultetit të Drejtësisë të UT-së ka deklaruar se është në mbështetje të studentëve.
Kjo Asamble ka dalë me katër pika për protestën e studentëve, ndërsa thekson se të gjitha VKM të miratuara pa konsultim paraprak dhe që cenojnë autonominë universitare duhet të rishikohen me themel.
Por këto nuk janë pikat e vetme, pasi në to është parashtruar edhe përmirësimi i kushteve mësimore si rritja e cilësisë në kërkimet shkencore.
Në një njoftim për mediat nga “Fakulteti i Drejtësisë”, zbardhen edhe vendimet e marra:
“Asambleja e Personelit Akademik të Fakultetit të Drejtësisë të UT, në mbledhjen e datës 18.012019, pasi analizoi situatën e krijuar deklaron në mënyrë unanime se:
Mbështete protestën e studentëve dhe shprehet kundër çdo forme presioni ndaj tyre.
Angazhohet për rritjen e cilësisë së mësimdhënies, kërkimit shkencor, bazuar dhe në kërkesat e studentëve.
Gjithashtu, mbështet ngritjen e mekanizmave për kontrollin e etikës në kërkimin shkencor në respektim të Kushtetutës, garantimit të lirisë akademike dhe autonomisë së Institucioneve të Arsimit.
Kërkon rishikim tërësor të akteve të Këshillit të Ministrave të dala pa u konsultuar paraprakisht me Institucionet e Arsimit të Lartë dhe që cënojnë autonominë Universitare.
I bënë thirrje të gjithë aktorëve që të respektojnë misionin e shenjtë të pedagogut, duke ndaluar çdo përpjekje për të cënuar dhe denigruar figurën e tij”, thuhet në njoftim