20-30 cm është trashësia e borës së rënë gjatë orëve të fundit në njësinë administrative Kelmend të Malësisë së Madhe. Ashtu siç u njoftua nga Shtabi i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, aksi Tamarë – Vermosh paraqet problematika dhe rekomandohet lëvizja me zinxhirë.

Kreu i njësisë administrative Adriatik Çekaj, gjatë një bisede telefonike bëri me dije se po vijon normalisht puna për pastrimin e të gjitha akseve në këtë njësi. Borëpastruesja ka ndërhyrë në fshatrat Selcë, Gropat e Selcës, Lëpushë dhe Vermosh, aty ku edhe reshjet e dëborës kanë qenë të mëdha.

Aktualisht, bëhet me dije se rruga drejt Vermoshit është pastruar, megjithëse po vijon puna për mbajtjen e saj të hapur për t’u paraprirë reshjeve që pritet të bien gjatë orëve në vazhdim. Lëvizja e banorëve është e kufizuar, por deri tani jo e izoluar.

Fatmirësisht, rastet e paraqitura pranë qendrës spitalore të Tamarës kanë qenë me viroza të gripit dhe shërbimi është dhënë në qendrën e njësisë administrative.

Artikulli paraprakCUNGU: KJO ËSHTË VLLAZNIA, S’PRES NDRYSHIME
Artikulli tjetërTRENI DEL NGA SHINAT, 76 TË PLAGOSUR