Zbardhet mesazhi, ja çfarë bisedoi në Tiranë kreu i SHISH Visho Ajazi me kreun e CIA

Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi, falënderoi agjentët sekretë shqiptarë për punën e kryer gjatë vitit 2016 dhe vlerësoi bashkëpunimin pozitiv me shërbimin sekret amerikan. Në një mesazh urimi për punonjësit e SHISH-it, me rastin e festave të fundvitit, shefi i shërbimit inteligjent u shpreh se puna e deritanishme përbën “bazë solide për arritje rezultatesh të larta, në luftën kundër çdo veprimtarie që cenon sigurinë kombëtare”. Kreu i SHISH-it përmendi edhe takimet me shefin e CIA-s, John Brenan, pak ditë më parë në Tiranë dhe nënvizoi kontaktet pozitive mes dy agjencive. “U zhvillua një takim kokë më kokë midis dy drejtorëve të Shërbimeve, takime mes delegacioneve respektive si dhe një takim me stafin drejtues të SHISH. Takimet e zhvilluara u karakterizuan nga fryma e bashkëpunimit miqësor”, shkruan Ajazi në mesazhin e tij, i pari i një drejtuesi të shërbimit inteligjent për punonjësit e tij. Mesazhi i shefit të SHISH: Me rastin e festave të fundvitit 2016, ju uroj Gëzuar, mbarësi, shëndet e lumturi mes kolegëve dhe në familjet tuaja! Gjithashtu, ju uroj suksese të mëtejshme në realizimin e detyrave në shërbim të Shtetit dhe vendit tonë. Gjej rastin të shpreh mirënjohjen time për të gjithë punonjësit, burrat e gratë, për gatishmërinë, kontributin dhe përkushtimin e treguar në realizimin e detyrave të ngarkuara nga ligji dhe nga Prioritetet e Qeverisë për vitin 2016. Sukseseve të këtij viti u janë shtuar edhe dy ngjarje domethënëse për një Shërbim Informativ. Dekorimi i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), me datën 04.07.2016, nga Presidenti i Republikës, Sh. T. z. Bujar Nishani, me Dekoratën e Artë të Shqiponjës, të cilën e kemi njoftuar zyrtarisht më parë. Vizita e suksesshme zyrtare në SHISH; e datës 06.12.2016, në përgjigje të ftesës së Drejtorit të SHISH, z. Visho Ajazi Lika; e Drejtorit të Agjencisë Qendrore të Zbulimit të SHBA (CIA), z. John O. BRENNAN, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë të agjencisë së tyre. Gjatë kësaj vizite, u zhvillua një takim kokë më kokë midis dy drejtorëve të Shërbimeve, takime mes delegacioneve respektive si dhe një takim me stafin drejtues të SHISH. Takimet e zhvilluara u karakterizuan nga fryma e bashkëpunimit miqësor. Me këtë rast rishpreh edhe një herë konsideratën dhe mirënjohjen time për profesionalizmin e objektivitetin e treguar dhe punën që keni kryer gjatë këtij viti. Kjo më bën të ndihem edhe më optimist, pasi shikoj dhe konstatoj tek ju gatishmëri, përkushtim, dashuri për profesionin, etj. Këto përbëjnë bazë solide për arritje rezultatesh të larta, në luftën kundër çdo veprimtarie që cënon sigurinë kombëtare. Duke ju përgëzuar për punën dhe përpjekjet e vitit 2016, për kontributin tuaj në forcimin e mëtejshëm të kohezionit ndërinstitucional shqiptar, dhe rritjen e reputacionit ndërkombëtar të institucionit tonë; shpreh bindjen se veprimtaria e SHISH, edhe gjatë vitit 2017, do të vazhdojë me modesti, por pa u lëkundur, në përmbushjen e pritshmërive që rrjedhin nga misioni i tij ligjor. Përzemërsisht uroj që, të kaloni të gëzuar Festat, dhe në lumturi me familjet, miqtë dhe shoqërinë tuaj. Urime të përzemërta dhe të sinqerta!

Artikulli paraprakVDES POLICI I BURGUT. E GODITI MAKINA, SAPO KISHTE LËNË PUNËN E DO IKTE NË SHTËPI
Artikulli tjetërLËVIZJE NË PROKURORINE E SHKODRES ,LARGOHET MARTINI,VJEN BILURI