Zbardhet projekti për aeroportin e jugut, kandidatë dhe Korça e Fieri
Hapat konkretë për ndërtimin e aeroportit të jugut do të nisin në vitin 2018. Në buxhetin afatmesëm, për vitet 2017-2019, Qeveria ka parashikuar rreth 4 milionë dollarë për këtë qëllim. Sipas dokumentit qeveritar, një fond prej 420 milionë lekësh do të përdoret për projektimin e detajuar dhe ndertimin e tij. Ndërsa fillimisht u fol për qytetin e Gjirokastrës, në listën kandidatëve për ndërtimin e aereoportit të jugut janë shtuar tashmë qytetet e Sarandës, Korçës Vlorës e Fierit. Këto qytete përcaktohen si kandidatë potenciale për ndërtimin e një aeroporti të tretë ndërkombëtar, pas Rinasit e Kukësit, në Strategjinë Sektoriale të Transportit 2016-2020, të miratuar vitin e shkuar nga këshilli i Ministrave. Në shqipëri numërohen në total 12 fusha aviacioni të vogla, kryesisht të mbuluara me bar, të cilat potencialisht mund të përdoren për fluturime civile. Vendndodhja e aereoportit të jugut ngre prej kohësh pikëpyetje të mëdha për Qeverinë. Kjo pasi marrëveshja e re me kompaninë koncesionare të Rinasit, nuk lejon ndërtimin e një aereoprti tjetër ndërkombëtar në një rreze prej 100 kilometrash. Vitin e kaluar pati dy projekte te qeverisë për ndërtimin e aeroportit të jugut në Delvinë ose Gjirokastër. Dy propozimet në fjalë qenë pasqyruar në planin për zhvillimin e bregdetit.