Tre ditë pasi ka shpallur vendimin për pushimin e akuzave për kreun demokrat, Lulzim Bashën, ish-sekretarin e Përgjithshëm Arben Ristanin dhe Ilir Dervishin të akuzuar për falsifikim të formularit të KQZ dhe pastrim parash, gjykata ka zbardhur argumentat se përse mori këtë vendim.
Sipas gjyqtarit, Lazer Sallaku, fakti nuk ekziston pasi pavarësisht deklarimeve të Nik Muzin nuk provohet se PD ka dhënë cash 500 mijë dollarë.
Gjykata e Tiranës ka zbardhur të arsyetuar vendimin që pushoi çështjen hetimore ndaj kreut demokrat, Lulzim Basha, ish-sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike,Arben Ristani, dhe financierit Ilir Dervishi.
Në një material prej 41 faqesh, gjyqtari Lazer Sallaku ka argumenuar se të dyja akuzat e falsifikimit të formularëve dhe të pastrimit të parave megjithë hetimin e zhvilluar nuk arritën të provohen.
Përsa i përket akuzës së pastrimit të parave, gjykata argumenton se sipas hetimit gjyqësor ka rezultuar se Partia Demokratike nuk ka patur kontratë lobimi me kompaninë ‘Biniada Trede’.
Sipas gjykatës, kontrata e Nik Muzin me ‘Biniada Trede’ s’ka lidhje me interesa të ndonjë partie politike.
Kjo edhe pse në argumentet e prokurorisë Nik Muzin ka deklaruar me anë të leterporosisë se 500 mijë dollarë i ka marrë nga Partia Demokratike .
Por sipas gjykatës nuk provohet nga asnjë dokument që këto para janë dhënë cash nga selia blu te kompania e huaj për të bërë lobim në ShBA.
Gjykata çmon se me datën 22.3 2017 midis Partisë Demokratike dhe kompanisë ‘Capitol Partners’ është lidhur një marrëveshje konsultimi. Fusha e veprimit ka qenë konceptimi dhe zbatimi i një fushate politike për zgjedhjet 2017.
Promovimi i vizionit dhe objektivave të Partisë Demokratike të Shqipërisë në shtyp, biznes dhe figurave politike të SHBA dhe ndërkombëtarët, kërkimi dhe zhvillimi i strategjive për të promovuar lëvizjen konservatore në Shqipëri.
Për këto marrëveshje Partia Demokratike do të bënte pagesa me nga 25 .00 euro në datat 22.03 2017 , 22. 04. 2017 dhe 22 05.2017.
Gjithashtu nga verifikimet e bëra, sipas gjykatë nga Partia Demokratike nuk verifikohet me asnjë dokument se është derdhur shumë prej 500 mijë dollarësh dhe rrjedhimisht kjo nuk kishte si të deklarohej në formularin e KQZ-së.
Pavarësisht këtyre argumenteve të gjykatës, prokuroria ka bërë të ditur se do të apelojë çështjen.