Tetë ditë pas vrasjes së bujshme të 26-vjeçarit Jurgen Kurti në Tiranë, policia e kryeqytetit ka arrestuar tre persona bashkëpunëtorë në vrasje, ndërsa një i katërt u shpall në kërkim.
Policia thotë se ka sekuestruar një pistoletë TT, fishekë luftarakë, një makinë që autorët kanë përdorur për tu larguar nga vendi i ngjarjes. një sasi të vogël lënde narkotike, 2470 Euro e lekë shqiptare, si dhe dy makina luksoze. Mjetet janë sekuestruar gjatë kontrolleve të policisë në banesat e tyre
Pas një pune të mirë organizuar nga Sektori i Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës dhe Pronës, në Policinë e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë e kryeqytetit, u arrestuan Elsi Levendi, 21 vjeç, lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë, Alesio Berberi, 33 vjeç lindur në Patos, Olsi Qalliaj, 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos.
Ngjarja ndodhi më 18 mars 2019, rreth orës 22:30, në rrugën “Zef Jubani”, ku u vra me armë zjarri Jurgen Kurti. 26 vjeç.
Policia thotë se ka shpallur në kërkim një person të katërt, emri i të cilit nuk bëhet publik për efekt të hetimeve.
Njoftimi i plote i Policise
Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 18 mars 2019, në rrugën “Zef Jubani”, ku u vra me armë zjarri 26 vjeçari J. K. Arrestohen tre shtetas si bashkëpuntorë në vrasje, si dhe u shpall në kërkim një tjetër. Sekuestrohen një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarak, një automjet që u ka shërbyer autorëve për tu larguar pas kryerjes së ngjarjes, një sasi e vogël lënde narkotike, 2470 Euro e lekë shqiptare, si dhe dy makina luksoze.
Pas një pune të mirë organizuar nga Sektori i Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës dhe Pronës, në D.V.P.Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 18 mars 2019, rreth orës 22:30, në rrugën “Zef Jubani”, ku u vra me armë zjarri shtetasi, J.K., 26 vjeç, është arritur të bëhet dokumentimi ligjor i kësaj ngjarje ku janë ndaluar/arrestuar shtetasit:
– E. L., 21 vjeç, lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë;
– A. B., 33 vjeç, lindur në Patos dhe baunes në Patos, Fier;
-O. Q., 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos.
Si dhe u bë shpallja në kërkim e një shtetasi tjetër.
Nga informacionet e grumbulluara, provat e administruara dhe të sekuestruara, si dhe tërësia e veprimeve hetimore të kryera, dyshohet se autorët e kësaj ngjarje janë shtetasit e mësipërm së bashkë me një shtetas tjetër të shpallur në kërkim. Policia gjatë kontrollit fizik dhe në basnesat e këtyre shtetasve gjeti dhe sekuestroi një automjet që u ka shërbyer autorëve për tu larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze.
Gjithshtu u gjet dhe një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarak, një sasi prej 2470 Euro e lekë shqiptare, 13 aparate celular, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike. Veprimet hetimore janë në vazhdim e sipër për të bërë të mundur dokumentimin e plotë me prova ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, si dhe për dokumentimin e motiveve të kësaj ngjarje.
Për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera pasi cënojnë hetimin. Materialet ju dërguan Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.