Nga Censi 2011 deri në Censin 2023, popullsia u tkurr me rreth 420 mijë banorë duke arritur në 2,402,113, nga rreth 2,820,000 që ishte në vitin 2011. Në përgjithësi, numri i popullsisë që banon në vend u reduktua me 14.8%, por imigrimi i brendshëm ka bërë që popullsia e mbetur të përqendrohet në qytetet kryesore, teksa ka rënë ndjeshëm popullsia në qytetet periferike. Në 7 bashkitë e vendit, Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodër, Fier, Kamzë dhe Vorë, jetonte 52% e popullsisë, ndërsa në 54 bashkitë e tjera jeton 48% e popullsisë. Në vitin 2011, në 7 bashkitë e mëdha jetonte 47% e popullsisë. Kryeqyteti ka rritur më tej peshën ndaj popullsisë totale, pavarësisht se numri i popullsisë në kryeqytet është rritur më pak se të dhënat zyrtare para censit. Në disa qytete, pesha e popullsisë ndaj totalit ka pësuar rënie të ndjeshme ndërmjet dy censeve. P.sh. në Shkodër në vitin 2023 jetonte 4.3% e popullsisë nga 4.8% në vitin 2011. Secila nga 30 bashkitë e vendit ka peshë më pak se 1% të popullsisë totale. Urbanistët shprehen se përqendrimi i lartë i popullsisë në zonat e mëdha urbane sjell ndërlikime negative në cilësinë urbane të jetesës, modelin ekonomik, strukturën sociale, modelin politik etj. Të dhënat e Censit tregojnë se bashkitë në Shqipëri kanë një popullsi ende më të lartë se bashkitë në mesin e vendeve të OECD-së, por qeverisë i nevojitet një shpërndarje e re e burimeve dhe politikave. Në Ballkanin Perëndimor, njësitë vendore priren të kenë popullsi më të madhe. Në vitin 2021, madhësia mesatare e bashkive ishte rreth 27,500 banorë. Në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut, bashkitë administrojnë më pak se 30 mijë banorë mesatarisht, ndërsa në Shqipëri më shumë se 70 mijë banorë. OECD rekomandon se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kishin marrë për referencë në qeverisjen e pushtetit vendor Francën ose Austrinë, ku njësitë administrojnë më pak banorë. Proceset e bashkimit të komunave janë zhvilluar në disa vende anëtare europiane dhe të OECD. Bashkimet shihen shpesh si një kërcënim për identitetin lokal dhe trashëgimitë historike, gjë që shpjegon rezistencën në shumë vende. Në Shqipëri, reforma territoriale, që zgjeroi madhësinë e qeverisjes vendore, ka përkeqësuar tërësisht cilësinë e shërbimeve, teksa ka lënë zonat rurale pa pjesën më të madhe të shërbimeve – vuri në dukje një analizë e Bankës Botërore vitin e kaluar.

Artikulli paraprakDREJTORIA E POLICISË RRUGORE, JANË VENDOSUR 22 260 MASA ADMINISTRATIVE NË TË GJITHË VENDIN
Artikulli tjetërKRIMET E KOMUNIZMIT, KËRKESË PËR OBELIKS NË KOPLIK