Edicioni i 60-të i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar ka nisur prej ditësh punën për të sjellë përpara publikut festën e rëndësishme të muzikës shqiptare, në mbrëmjet e 27, 28 dhe 29 dhjetorit, live nga Pallati i Kongreseve.
Drejtori i Festivalit, Martin Leka, i ka besuar konceptit të regjisorit Redi Treni, skenografi të Albi Çifligut, me skenar të gazetareve Zefina Hasani e Kozeta Kurti, nën moderimin e Xhemi Shehu e Jonida Maliqi, Isli Islami e Kelvi Kadilli, me drejtimin artistik të Elton Dedës.
Edicioni i 60-të i Festivalit të Këngës, rezervon pjesëmarrjen e veçantë të kantautorit, drejtuesit televiziv e producentit Ardit Gjebrea, në një rol të veçantë mbi historinë e Festivalit dhe disa prej emrave më të njohur të tij.
Muzika, e cila është kryefjala e çdo viti në Festival, do të vazhdojë të mbetet e tillë, jo vetëm në mbështetje të këngëve garuese, por edhe numrave artistikë specialë, për të sjellë një festival tërësisht shqiptar, por me qasje europiane e bashkëkohore në trajtim.
Gjatë konferencës për shtyp, stafi i Festivalit foli për konceptin e këtij edicioni, i ndarë në tri net, ku do të bashkohet historia, e tashmja dhe ajo që pritet t’i ndodhë muzikës shqiptare në të ardhmen, aksesi në tregun europian të këngës.
Netët e Festivalit do të përcillen me publik, me numër të kufizuar, duke respektuar certifikatën e vaksinimit dhe tamponin me rezultat negativ.