“Një Smart”, “Një furgon të madh të bardhë”. Nuk janë porosi makinash, por kërkesa për sasi të caktuara kokaine dhe hashashi.
Këtë kanë zbuluar karabinierët e kompanisë së Colleferros, në terren që pa zbardhur mirë dita, të ndihmuar nga disa njësi të tjera me qen e helikopterë, për ekzekutimin e mandateve nga gjykata e Velletrit me kërkesë të prokurorisë lokale, për 12 persona (dy në burg e dhjetë në regjim arresti shtëpie). Karabinierët janë duke kryer kontrolle banesash për tetë persona të tjerë të akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merret me shpërndarjen e substancave të paligjshme. Dy të arrestuarit në qeli janë italianë, ndërsa midis dhjetë personave në arrest shtëpie është edhe një shqiptar.
Hetimet kanë nisur që në vitin e kaluar, ndërkohë që bashkë me arrestimet janë sekuestruar edhe 1.5 kile kokainë dhe pesë kile hashash.