Dy kompani kibernetike amerikane kanë thënë se, analizat e kryera mbi ndërhyrjet në kompjuterët e Partisë Demokrate amerikane tregojnë se janë kryer nga “hacker” rusë.
Të dy kompanitë amerikane përmes një komunikate të publikuar thonë se “domen-ët” e internetit që janë shfrytëzuar për të sulmuar kompjuterët e demokratëve çojnë te një grup rus i quajtur “Fancy Bear”. Ky grup ka lidhje me shërbimet ruse të inteligjencës. I njëjti grup e ka kryer edhe sulmin mbi kompjuterët e Komitetit Kombëtar Demokrat në muajin qershor, kanë thënë kompanitë, “Fidelis Cybersecurity” dhe “ThreatConnect”. Komiteti Demokrat e ka drejtuar gishtin ndaj Rusisë që prej dy jave, duke thënë se publikimi i email-eve nga faqja e internetit “Wikileaks” ka për qëllim që të ndihmohet, Donald Trump, rivali i kandidates demokrate për president, Hillary Clinton. Rusia deri më tani disa herë e ka mohuar se qëndron prapa sulmeve të tilla kibernetike.