Të udhëhequr nga ish-presidenti Rexhep Meidani, 4 deputetë socialistë, së bashku me disa anëtarë të Asamblesë Kombëtare të kësaj partie, kanë hedhur firmat në një kërkesë drejtuar kryetarit të Komisionit të Garancive Statutore.

Objekti i kësaj kërkese lidhet me zbatimin dhe interpretimin prej këtij komisioni të shkeljeve të konstatuara në statut. Në qendër të kësaj kërkese është ajo që nënshkruesit e kësaj letre thonë se, “Për funksionin e Kryetarit të PS është shkelur parimi i kufizimit kohor të mandatit, sanksionuar në nenin 30, pika 2 të Statutit të PS, duke e çuar mandatin e tij nga 4 në 7 vjet, çka sjell si rrjedhojë humbjen e legjitimititetit në ushtrimin e funksioneve të tij në parti”. “Kërkojmë zbatimin dhe interpretimin e nenit 30 pikat 1/a, 1/b, 1/d, dhe pika 2 të Statutit të PS, mbi kufizimin kohor të mandatit të kryetarit të PS, si dhe mbi legjitimitetin e ushtrimit të funksioneve të tij në parti përtej këtij mandati”, thuhet në letër. Interpretim kërkohet edhe për çështje të tjera që lidhen me parimin e kolegjialitetit, garantimi i së drejtës kushtetuese, ligjore dhe statutore e çdo anëtari të PS, për të zgjedhur e për t’u zgjedhur në të gjitha organet drejtuese të partisë. Mbi simbolin, stemën, flamurin e PS, përfshirë detyrimin e raportimit dhe të miratimit të burimeve financiare të PS, si dhe të shpenzimeve të saj, prej Kryesisë dhe Asamblesë Kombëtare, që prej vitit 2013 e deri në ditën e kësaj kërkese. Nga firmëtarët e kësaj kërkese katër janë aktualisht deputetë.

Firmëtarët e kërkesës: Rexhep Meidani Tritan Kalo Maqo Lakrori Suzana Hakrama Petrit Ago Ndre Legisi Marko Bello Mark Nikolli Ben Blushi Arta Dade Mimoza Hafizi Namik Kopliku

Artikulli paraprakSUAREZ DHE MESSI, BARCELONA SHKEPUTET NE RENDITJE
Artikulli tjetërMe datë 20.02.2016, është vetëvrarë me armë zjarri automatike mod-56 shtetasi…