Zbulohet laborator droge dhe mbi 6 ton kanabis
Dy të arrestuar, në hetim dhe tre policë Një laborator droge, mbi 6 ton kanabis i paketuar dhe 2 mijë fidanë në boçe gati për t’u mbjellë, janë zbuluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda mëngjesin e kësaj të mërkure në Skrapar. Operacioni është kryer nga Prokuroria në bashkëpunim me Policinë, në një zonë të thellë ndërmjet Skraparit dhe Beratit, pranë HEC-it të Vlushës. Sasia e drogës së paketuar mund të rritet, pasi ende vijon peshimi i saj. Gazetari i Shqiptarja.com, Elton Qyno raporton se gjatë këtij aksioni janë arrestuar dy persona, të cilët dyshohet të kenë lidhje me sasinë e konsiderueshme të drogës. Prokuroria vijon hetimet për identifikimin e të tjerë personave të implikuar në trafikun e lëndëve narkotike. Ky aksion i Krimeve të Rënda është në vijim të operacionit të para dy jave, ku u sekuestruan në një magazinë 1.2 ton kanabis.