Zbulohet sasia e drogës e kapur dje në Qafë-Thanë. Pas peshimit në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Elbasanit, rezultoi se në furgon ndodheshin 570 kilogramë kanabis.
E gjithë sasia në fjalë e lëndës narkotike, sipas burimeve zyrtare ishte e fshehur në shasinë e mjetit në fjalë.
\
Ky mjet transporti dyshohej se do të kalonte fillimisht në shtetin fqinj të Maqedonisë nëpërmjet pikës së kalimit kufitare të Qafë-Thanës, ndërsa destinacioni përfundimtar nuk dihet ende.
Pas bllokimit të furgonit të mbushur me drogë u shoqëruan për në Drejtorinë e Policisë Vendore të Elbasanit disa persona, ndër ta dhe drejtuesi i mjetit me ngarkesën prej 570 kg kanabis sativa. Mjeti me targë AA 356 NA që po transportonte më shumë se gjysmë tonelate drogë rezulton të jetë në pronësi të një biznesi nga Qarku i Fierit.
Sipas burimeve zyrtare, në operacionin antidrogë të zhvilluar gjatë kësaj mesjave morën pjesë policia e Elbasani, si dhe forcat speciale. Ata e ndaluan furgonin me drogë jo shumë larg pikës së kalimit kufitar me Maqedoninë, pasi e kishin mbajtur në vëzhgim të rreptë që nga vendi nga ku ishte nisur me ngarkesën e drogës.
Paraprakisht dyshohet se një numër i madh personash përfshirë në trafikimin e drogës së kapur në afërsi të pikës së kalimit kufitar të Qafë Thanës të mërkurën.
Hetimi sipas burimeve zyrtare është shtrirë në qarqet e Elbasanit dhe të Fierit. Dyshohet se pjesë e këtij rrjeti është një organizatë kriminale me fuqi të madhe ekonomike.
Aktualisht janë identifikuar disa persona të përfshirë në trafikun e sasisë prej 570 kg kanabis sativa, disa prej të cilëve dyshohet se janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut drogës nga Shqipëria.
Prej mesditës së mërkurë Antidroga është në operacion për arrestimin e tyre dhe burime të besueshme kanë paralajmëruar arrestime të bujshme.