Vendimi për rishikimin e pagës minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve dhe sigurimeve shoqërore ngriti edhe shqetësimin e industrisë së fasonëve për ndarjen e profesioneve sipas kategorive.
Përfaqësues së biznesit fason konsiderojnë me rëndësi reformën për ndarjen e kategorive, në zbutjen e efekteve të rritjes së kostos në krahun e punës.
“Duhet të behet një kategorizim për profesionet. Nuk do të marr punëtor të ri, pasi nuk mund ta paguaj 30 mijë lekë pa eksperiencë. Rritja e pagës minimale do të ndikojë mosmarrjen e punonjësve të rinj”, u shpreh Florian Zekja përfaqësues i shoqatës së fasonëve.
Sipas tij, për ndarjen e kategorive në këtë sektor u hartuan standardet e punës sipas ILO-s. Zekja thotë se kriteret e standardeve në konfeksione të vendosura në 2014 sipas ILO-s, nuk gjetën zbatim te ndarja e profesioneve.
Konkretisht në ndihmë të industrisë së tekstileve, për kategorizimin e profesioneve për periudhën 2010-2014 u zbatua edhe projekti i financuar nga Bashkimi Europian, IPA për zhvillimin e burimeve njerëzore në Shqipëri.
Në mbyllje të projektit u vendosën standardet për profesionin e biznesit me fason, si tekniku i prodhimit të linjës në konfeksione, eksperiencën në punë që duhet të jetë mbi 2 vjeçare, sipas kritereve të ILO-s.
“Tekniku i prodhimit në konfeksion duhet të ketë mbaruar arsimin e mesëm, preferueshëm profesional ose të përgjithshëm, si dhe të ketë një eksperiencë minimale prej 2 vjetësh në të gjitha fazat e prodhimit nga zbërthimi i kampionit, qepja hekurosja dhe përfundimi”, thuhet në konkluzionet për standardet e profesionit.
Ky projekt i zbatuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, (ILO) parashikonte që vlefshmëria e standardit të profesionit “teknik në prodhimet e konfeksioneve” do të jetë për një periudhë 10 vjeçare.
Në mbyllje të projektit parashikohej që standardet të nisnin të zbatoheshin nga shtatori 2014.
Rritja e pagës minimale
Qeveria parashikon të rrisë pagën minimale në 30 mijë lekë, nga 26 mijë lekë që është aktualisht.
Rritja e pagës minimale do të rrisë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Me rrogën minimale 26 mijë lekë në total paguhen 7,254 lekë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Pagesat e kontributeve të detyrueshme dhe sigurime shëndetësore llogariten 27.9 % pagës. Nga kjo shumë, 24.5 për qind paguhen për sigurime shoqërore, si sigurime për sëmundje, barrëlindje, pensione, aksidente dhe papunësie. Pjesa tjetër prej 3.4 për qind është për sigurime shëndetësore.
Me pagën e re minimale do të paguhen 8.370 lekë kontribute apo 1.116 lekë më shumë.
Kategoria e rrogave të ulëta do të vazhdojë të mbetet e paprekur nga tatim mbi të ardhurat, pasi kjo taksë për rrogat deri në 30 mijë lekë është zero.
Sipas ligjit rroga maksimale rritet në të njëjtat nivele si paga minimale. Nga ndryshimet do të preken edhe rrogat maksimale. Nëse rritja e pagës minimale do të jetë rreth 15 për qind, rroga maksimale do të jetë 131,870 lekë.