Një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, zëdhënësi i presidentit Tedi Blushi denoncoi publikisht se mazhoranca ka mashtruar me raportin përfundimtar të Komisionit të Venecias, duke mos shpërndarë dokumentin origjinal.
Tedi Blushi: Titrat dhe lajmet e gënjeshtra të shpërndara sot në panik nga shteti i propagandës dhe të qarkulluara përsheshngrënësit mediatikë të PPP-ve janë dëshmi e qartë e dëshpërimit dhe stresit ku kanë rënë sot lolot e Rilindjes me në krye famozin e mashtrimit dhe jo vetëm Tao-tao në lidhje me konkluzionet e opinionit final të Komisionit të Venecias.
Së pari dua tu bëj me dije një fakt të pakundërshtueshëm dhe lëhtësisht të verifikueshëm që nxjerr në dritë pacipësinë dhe pafytyrësinë e lolove të Rilindjes dhe famozit Tao-tao që mashtrojnë dhe ndajnë në media gjoja me emër të Komisionit të Venecias raporte dhe konkluzione të pavërteta.
Ky është dokumenti i vetëm zyrtar (letra që mban në dorën e djathtë të fotos) i publikuar nga sot nga Këshilli i Europës në lidhje me konkluzionet e raportit final të Komisionit të Venecias, ndërsa ky këtu(letra që mban në dorën e majtë) është dokumenti që Tao-tao ka shpërndarë sot në media.
Sipas Blushit, diferenca në dy dokumentet është shumë e qartë.
Tedi Blushi: Dokumenti Tao Tao përhap lajmin e gënjeshtërt se sipas Venecias, Presidenti nuk mundet të anulojë zgjedhjet. Ndërkohë sipas deklaratës zyrtare për shtyp të Këshillit të Europës, mbi raportin final të Komisionit të Venecias thuhet si më poshtë:
“Sipas opinionit të miratuar sot, i cili ishte kërkuar nga kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruci, Komisioni i Venecias vëren se edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta apo katastrofa natyrore, Parlamenti do të duhej të miratojë legjislacion ad hoc (të posaçëm) për të shtyrë zgjedhjet”.
Duke këshilluar kështu Kuvendin të investohet në plotësimin e vakumeve ligjore, siç rekomandojnë ekspertët e Venecias, dhe jo të investohet me të gjithë arsenalin e papagajve për të prodhuar dokumente Tao Tao dhe për të keqinformuar opinionin publik.
Konkluzionet e Venecias
Komisioni i Venecias publikoi raportin përfundimtar lidhur me anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit, ku thuhej se ka indikacione se veprimet e Presidentit mund të mos kenë qenë të asaj natyre që justifikojnë nisjen e procedurave të shkarkimit.
Në raport, Komisioni i Venecias citonte se edhe nëse Meta tejkaloi kufijtë, nuk mund të fajësohet.
“Në sfondin e një procedure aktuale të fajësimit kundër Presidentit shqiptar Ilir Meta, për shtyrjen e zgjedhjeve lokale përtej mandatit zgjedhor të autoriteteve lokale, ekspertët kushtetues të Këshillit të Evropës të Komisionit të Venecias konkludojnë se ndërsa Presidenti mund të ketë vepruar përtej fuqive të tij kushtetuese, ka indikacione se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre që justifikojnë nisjen e procedurave të shkarkimit”, thuhej në raport.
Sipas opinionit të miratuar sot, i cili ishte kërkuar nga kryetari i Asamblesë shqiptare Gramoz Ruci, Komisioni i Venecias vëren se Presidenti shqiptar nuk mund të anulojë zgjedhjet pa konsensus politik.
“Edhe në rast të gjendjes së jashtëzakonshme, siç është lufta ose katastrofa natyrore, Parlamenti do të duhet të miratojë legjislacion ad hoc për të shtyrë zgjedhjet”, thotë Komisioni.