“Debati politik në Shqipëri duhet të futet në parlament”.
Kështu deklaron nga Brukseli zëdhënësja e Komisionit Europian Maja Koçijançiç. Po ashtu shtoi se Bashkimi Europian po ndjek me vëmendje zhvillimet në Shqipëri ndërsa tashmë shtohen zërat edhe nga Brukseli kundër bojkotit të institucioneve nga opozita. “Debati politik duhet te futet në Parlament.
Ne do ndjekim nga afer zhvillimet ne Shqiperi. Per ne është e rendesishme që çdo gjë të jetë e mirëpërgatitur për zgjedhjet. Ne shprehim keqardhjen sepse ne besojmë se debati politik duhet të behet në parlament dhe jo jashtë dhe ne presim se dialogu e bashkëpunimi mes opozitës dhe mazhorancës, janë të rëndësishëm për ambiciet e vendit për t’iu bashkuar BE, si dhe përgatitjet për zgjedhjet janë një proces i rëndësishëm në këtë zhvillim dhe do të ndjekim zhvillimet nga afër.
Patjetër që ne presim zgjedhje të lira këtë vit”. Bashkimi Europian është i qartë në kërkesat që ka duke kërkuar që partia demokratike të lërë protestën në çadrën e lirisë dhe të futet në parlament për të miratuar ligjin e Vettingut si dhe për t’u regjistruar për zgjedhjet e 18 qershorit.
Reforma në drejtësi dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë dy prej kushteve kryesore prej të cilave varet e ardhmja e Shqipërisë në integrimin në Bashkimin Europian dhe përgjigja nëse do të hapen apo jo negociatat për futjen e vendit tonë në familjen e madhe europiane. Deklaratat e zyrtares së lartë të BE Kojançiç janë bërë gjatë një aktiviteti me disa gazetarë të Ballkanit mes të cilëve edhe një grup gazetarësh shkodran.