Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të premten se situata në termocentralin bërthamor të Zaporizhias mbetet “shumë e pasigurt dhe e rrezikshme”. Komentet e tij vijnë pasi centrali rifilloi pas një ndërprerjeje, furnizimin me energji elektrike të Ukrainës. Në fjalimin e tij të rregullt në mbrëmje zoti Zelenskyy tha se “çdo veprim i Rusisë që mund të shkaktojë mbylljen e reaktorëve, do ta vendoste edhe një herë centralin një hap larg katastrofës”. Kompania shtetërore bërthamore ‘Energoatom’ bëri të ditur të premten se dy nga gjashtë reaktorët e termocentralit ishte rilidhur me rrjetin elektrik ukrainas. Autoritetet në Kiev thanë se reaktorët u shkëput nga rrjeti për herë të parë në historinë e tij të enjten, pasi një zjarr i shkaktuar nga sulmet me artileri dëmtoi një linjë elektrike.
“Stacioni i energjisë bërthamore Zaporizhia është i lidhur me rrjetin dhe po prodhon energji elektrike për të plotësuar nevojat e Ukrainës“, thuhej në një deklaratë të ‘Energoatom’. Impianti ka nevojë për energji për të vënë në punë sistemin e ftohjes së reaktorëve dhe çdo ndërprerje e zgjatur e energjisë mund ta vendosë centralin në rrezik shkrirjeje. Ndërprerja e energjisë në central rriti frikën për një katastrofë bërthamore në një vend që ende ‘përndiqet’ nga shpërthimi i vitit 1986 në Çernobil.
Për shkak të frikës se rritja e intensitetit të luftimeve rreth centralit mund të bëhet shkak për një katastrofë autoritetet nisën të premten të ofrojnë tableta jodi për banorët që jetojnë pranë termocentralit bërthamor në rast të një rrjedhje radioaktive.