Me rastin e pjesëmarrjes në Forumin Ambrosetti në Itali, presidenti Volodymyr Zelensky zhvilloi një takim 40 minutësh me kryeministren Giorgia Meloni. Kryeministria italiane njoftoi se në takimin mes dy udhëheqësve u diskutua për zhvillimet e fundit në teatër, nevojat e domosdoshme të Ukrainës përballë sulmeve ruse, por edhe ndihmat për dimrin e ardhshëm.
Po ashtu, raportohet se në takimin mes Zelenskyt dhe Melonit është diskutuar edhe rindërtimi i Ukrainës, temë e cila do diskutohet edhe në Konferencën e të Rimëkëmbjes së Ukrainës që do mbahet në Itali në vitin 2025. Më vonë, kryeministrja italiane tha drejtpërdrejt se “konflikti nuk mund të zgjidhet duke braktisur Ukrainën në fatin e saj” dhe se “vendimi për të mbështetur Kievin është në përputhje me interesin kombëtar të Italisë”.
Teksa Zelensky përpiqet të shtojë mbështetjen e aleatëve, Rusia po shton sulmet në mbarë territorin ukrainas. Së fundmi, Kievi lajmëroi se ka arritur të rrëzojë 58 nga 67 dronë rusë të cilët ishin drejtuar në disa rajone të vendit.