Shtetet e Bashkuara dhe Britania nuk e kanë autorizuar Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi në objektiva brenda Rusisë, nga frika e një përshkallëzimi të armiqësive. Kështu tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili shpresonte se lideri amerikan Joe Biden kishte ndryshuar mendje.
Zelensky foli përpara një udhëtimi vendimtar në Shtetet e Bashkuara javën e ardhshme, gjatë së cilës ai pritet të takohet me Biden, Harris dhe Trump. Kievi prej javësh po i bën presion Perëndimit që të lejojë përdorimin e armëve me rreze të gjatë për të goditur objektivat brenda Rusisë. “As Amerika dhe as Britania e Madhe nuk na dhanë leje t’i përdorim këto armë në territorin e Rusisë, në asnjë objektiv, në çdo distancë”, u tha Zelensky gazetarëve. “Mendoj se ata janë të shqetësuar për një përshkallëzim.”