Sandër Lleshi do të jetë ministri i ri i Brendshëm që do të pasojë Fatmir Xhafajn pas dorëheqjes së këtij të fundit.
Emërimin e ri e bëri të ditur vetë kryeministri Edi Rama në një status në Twitter. Ai njoftoi se Gjeneral Sandër Lleshi do të sjellë një energji të re pozitive në krye të Punëve të Brendshme.
“Tani duhet rritur shpejtësia dhe duhen arritur rezultate edhe më domethënëse,” shkruajti Rama.
Kush është Gjeneral Sandër Lleshi
Në periudhën 1996- 2000, gjeneral Lleshi ka qenë komandant i Kurseve në Akademinë e Mbrojtjes në Tiranë dhe më pas, për tre vjet të tjera, ishte komandant i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”.
Në vitet 2003-2006 ka shërbyer si atashe i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë në Gjermani. Sa i takon arsimit të tij në fushën ushtarake, ai fillon në periudhën 1978-1985
kur ka kryer shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe Akademinw Ushtarake. Nga viti 1994 deri në 1999 ka kryer një sërë kursesh, si ai i gjuhës gjermane në Akademinë e Mbrojtjes Kombëtare në Vjenë (Austri);
kurs i avancuar i gjuhës gjermane në Institutin Federal të Gjuhëve (Bundessprachenamt) në Gjermani; kurs i komandantit të Batalionit në Shkollën e Artilerisë Kundërajrore në Rendsburg, Gjermani;
kurs i Shtabit të Përgjithshëm në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani dhe kurs i Sigurisë Europiane në Akademinë e Drejtimit në Hamburg, Gjermani. Në 2008-n, gjeneral
Lleshi ka përfunduar Seminarin e Lartë Ekzekutiv në Qendrën për Studime të Sigurisë Europiane, George C. Marshall në Garmisch-Partenkirchen, Gjermani;
Ndërsa në 2011-ën përfundoi Kursin e Lartë Ndërkombëtar për Menaxhimin e Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey, Kalifornia, SHBA.